Përkrahu kryeministrin Kurti por pranoi shumë sharje/ Çun Lajçi reagon ashpër: Ja pse e desha njërin dhe nuk desha t’ia shoh surratin tjetrit!

Aktuale

Përkrahu kryeministrin Kurti por pranoi shumë sharje/ Çun Lajçi reagon ashpër: Ja pse e desha njërin dhe nuk desha t’ia shoh surratin tjetrit!

Nga: M.H. Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 10:55
Çun Lajçi

Aktori shqiptar, Çun Lajçi përmes një postimi në Facebook ka shkruar në lidhje me sharjet që ka pranuar pasi ka përkrahur kryeministrin Kurti.

Lajçi radhiti disa nga gjërat që së fundmi ka përjetuar në lidhje me përkrahjen e tij ndaj Kurtit, duke filluar nga fjalët: “Prapë mbete pa dekorate”, përcjell “Bota sot”.

Ndër të tjera aktori thotë që “ka shumë vite që më "mësojnë" si të shkruaj e kë ta dua, dhe pse s’të dekoroi një President apo Kryeministër, kur ti u mundova me shkrime, t’i zhveshësh nga gabimet e fajet që mund të kenë pasur njëri e tjetri”, u shpreh ai.

Duke nënvizuar shkrimin e tij Lajçi thotë se “Ikni tash, se unë po ec kokëlartë mbi sharjet tuaja”.

Shkrimi i plotë

Ikni tash, se unë po ec kokëlartë mbi sharjet tuaja!

"Ti ke shkuar pas çdo Kryeministri! I ke hyrë nën sqetull secilit!

Që ke pirë kafe me secilin, kjo s'do mend! Që ke lobuar për postet e tyre, kjo as që diskutohet, sepse tregojnë fotografitë në krahët e tyre"!

Flasin ata që as nga afër nuk më panë ndonjëherë, që të paktën të më përshëndesnin me një "Tung, artist"! Por i tillë është ky soji im; ata dinë për ty edhe pa të parë kurrë! Atyre u mjafton një fjalë e dikujt që ta tjerrin leshin e vet e ta bëjnë lëmsh sa mullarin e sanës!

- E sheh? Prapë mbete pa dekoratë!

As ata që ishin, as këta që janë, nuk u kujtuan të ta japin një copë letër e një llastar dekoratë, para se t'na thuash; - "lamtumirë"!

- Pse shteti nuk të njeh ashtu si të njohim ne, nga shumë role, shumë shfaqje, shumë filma, shumë vepra letrare? Të njohim edhe nga shumë këngë, që mbase i këndon për të hequr mallin, mërzinë, ndoshta edhe vuajtjet që t’i çoi Zoti. Apo, përmes këngës do t'na thuash:

"Ja, unë jam gjallë, e kam zërin e s'kam nevojë për juve!"

Pse e do njërin e s’e do tjetrin?

Pse s’ia kruan shpinën thiut si të tjerët e s'i thua "dajë"?

Pse sheh me sytë e tu, kur të tjerët shohin me sytë e thiut?

Pse do të mësosh nga humbjet? Pse mundohesh të ngritësh mbi humbjet?

Pse të pëlqejnë rrugët me libra, kur e di se s’jetohet nga dija?

Shkruajnë e shkruajnë fjalë e fjali, të drejta e të zhdrejta, pa pasur idenë ku vihet pika e ku presja!

Ka shumë vite që më "mësojnë" si të shkruaj e kë ta dua, dhe pse s’të dekoroi një President apo Kryeministër, kur ti u mundova me shkrime, t’i zhveshësh nga gabimet e fajet që mund të kenë pasur njëri e tjetri!

Unë zgjodha të eci, duke shkelur mbi shamje e mallkime. Njëherë u përgjigja:

"Nuk i kam zgjedhur unë, m'kan zgjedhur ata! Nuk kam pasur nevojë unë, ata kanë pasur nevojë për mua! Nuk i kam thirrur unë në shtëpinë time, ata më kanë thirrur në zyrat e tyre, se u duhej poezia, kënga, monologu, zëri im atdhetar për votat e tyre! Nuk iu futa askujt nën sqetull dhe nuk ia lëpiva askujt prapanicën. Është e kundërta; - ata më ranë në qafë dhe më thanë: ‘Ti je thiu dajë dhe na duhesh!’”

- Ja pse e desha njërin dhe nuk desha t’ia shoh surratin tjetrit!

E kuptuat çfar lisi jam? E kuptuat se degët i kam kurrizit, se barkun ma kan rrjepur ernat!

Ikni tash, se unë po ec kokëlartë mbi sharjet tuaja!

19.02.2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat