Nga rezultatet preliminare të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 147 mijë 827 ose 17.67 për qind të votave nga zgjedhjet parlamentare të mbajtuara më 9 shkurt.
Ndërsa, kandidati për kryeministër nga LDK Lumir Abdixhiku, ka marrë brenda listës në partinë e tij 87 mijë e 51 vota nga ato që janë numëruar deri më tani sipas raportimeve në media.
Krahas këtyre votave të numëruara deri tani që ka marrë LDK më 9 shkurt, del se 58 për qind të tyre i ka fituar Abdixhiku nga votat e përgjithshme në LDK, raporton KosovaPress.
Në zgjedhjet 2021, LDK ka pasur 110 mijë e 985 vota, apo 12.7 për qind.
Deri më tani nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.
Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.
Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.