Serbia do të ndryshojë qasjen e saj në arenën politike pas padisë për gjenocid, ka deklaruar Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Edhe pse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, Tromp theksoi se ajo mund ta paditë Serbinë nëpërmjet një shteti tjetër. Ajo i bëi këto deklarata gjatë një konference ndërkombëtare të organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Paditë për gjenocid shqyrtohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), e cila vendos për mosmarrëveshjet mes shteteve.
Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia i humbën rastet e tyre kundër Serbisë për gjenocid. Megjithatë, GJND-ja konstatoi se Serbia kishte shkelur Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit në Srebrenicë, por nuk e shpalli atë fajtore për kryerje të gjenocidit.