“Humbja katastrofale është si rezultat i një...”, Halil Geci përmend faktorët kryesorë të humbjes së LDK-së

Aktuale

“Humbja katastrofale është si rezultat i një...”, Halil Geci përmend faktorët kryesorë të humbjes së LDK-së

Nga: N.E Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 19:01
Analisti Halil Geci

Analisti Halil Geci, ka treguar shkaqet kryesore të humbjes së LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas tij, humbja katastrofle e LDK-së, nuk është rezultat i një rrethane të rastësishme, por pasojë e grumbulluar.

“Shkaqet kryesore të humbjes së LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025

Humbja katastrofale e LDK-së nuk është rezultat i një rrethane të rastësishme, por një pasojë e grumbulluar nga një seri gabimesh strategjike, ideologjike dhe politike. Kjo nuk ishte një dështim i papritur, por një rrjedhojë logjike e largimit nga vlerat themeltare të rugovizmit dhe nga elektorati tradicional”, ka shkruar Geci.

Tutje ai ka përmendur edhe disa faktorë kyçë që e çuan LDK-në në këtë situatë, që sipas tij, është e pashpresë.

Shkrimi i plotë:

Më poshtë janë disa nga faktorët kyç që e çuan LDK-në në këtë situatë të pashpresë:

Largimi nga rugovizmi dhe mohimi i trashëgimisë së Ibrahim Rugovës

Një nga arsyet kryesore pse LDK-ja ka humbur mbështetjen e elektoratit të saj historik është braktisja e vlerave rugoviane. Partia që dikur mishëronte filozofinë e Rugovës sot ka devijuar tërësisht, duke mos e ruajtur trashëgiminë e tij politike. Ky largim i ka kushtuar rëndë, pasi elektorati besnik i LDK-së nuk e sheh më këtë parti si përfaqësuese të idealit rugovian.

2. Heqja e fotografisë së Ibrahim Rugovës nga zyra e partisë

Ky veprim simbolik, por thellësisht domethënës, tregoi një shkëputje të qëllimshme nga rrënjët e partisë. LDK-ja nuk mund të kërkojë votën e rugovistëve duke mohuar figurën e liderit historik. Ky ishte një mesazh i qartë për elektoratin se LDK-ja e sotme nuk ka asnjë lidhje me idealet dhe rrugën e Rugovës.

3. “Rruga e Re” e Lumir Abdixhikut ishte një eksperiment i dështuar

Në vend që të ndërtonte mbi trashëgiminë rugoviane, Lumir Abdixhiku dhe grupi i tij zgjodhën të promovojnë një vizion të quajtur “Rruga e Re”. Ky projekt, në vend që ta modernizonte partinë, e izoloi atë më shumë, duke e futur në një rrugë të ngushtë, larg aspiratave të elektoratit të saj tradicional.

4. Përkrahja e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën

LDK-ja humbi shumë mbështetje për shkak të qëndrimeve të saj ndaj çështjeve jetike për shtetin. Premtimi se, në rast se do vinte në pushtet, do të jetësonte marrëveshjet e nënshkruara nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi për Asociacionin me kompetenca ekzekutive dhe për dhënien e ekstra teritoreve 40 kishave ortodokse shqiptare në pronësi të Kishës Serbe, ishte një tradhti e hapur ndaj interesave të Kosovës. Ky qëndrim e bëri LDK-në të duket si një parti që i shërben më shumë interesave të huaja sesa qytetarëve të saj.

5. Fyerjet e paskrupullta ndaj liderit të LVV-së dhe mbështetësve të tij

LDK-ja, në vend që të fokusohej në ndërtimin e një programi të fortë dhe një alternative të besueshme, u mor kryesisht me sulme të ashpra dhe të pabaza ndaj liderit të LVV-së dhe qeverisë së tij. Një parti që synon të fitojë zemrat e qytetarëve nuk mund ta bëjë këtë përmes urrejtjes dhe sulmeve personale. Elektorati ndëshkoi këtë qasje, duke e parë LDK-në si një forcë që nuk ka vizion tjetër përveçse kundërshtimit të verbër.

6. Krahasimi i Qeverisë Kurti me regjimin e Millosheviqit

Një tjetër gafë e rëndë e LDK-së ishte mohimi i operacioneve të suksesshme të qeverisë në veri të Kosovës, duke e krahasuar ndërhyrjen kundër grupeve kriminale serbe me shtypjen e Kosovës nga regjimi i Millosheviqit. Ky qëndrim jo vetëm që ishte historikisht i pasaktë, por u perceptua si një mbrojtje indirekte e strukturave kriminale serbe në veri, gjë që zemëroi edhe më shumë elektoratin shqiptar.

7. Deklaratat skandaloze të nënkryetarëve të LDK-së

Lutfi Haziri vazhdimisht ka dhënë deklarata që nxisin ndarjen territoriale të Kosovës, duke përmendur ndarjen e vendit “me fshatra”. Këto deklarata janë në kundërshtim të plotë me interesin shtetëror dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e LDK-së si një forcë që mbron tërësinë territoriale të vendit.

• Shpifjet e Gazmend Muhaxheri për armët në Banjskë!

Në një moment kur Kosova po përballej me agresionin e grupeve terroriste serbe në veri, nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, hodhi akuza absurde duke thënë se armët në Banjskë mund t’i kishte vendosur vetë qeveria. Një deklaratë e tillë e papërgjegjshme dëmtoi jo vetëm imazhin e LDK-së, por edhe interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

8. Mungesa e reflektimit dhe arroganca e lidershipit

Pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme, lidershipi i LDK-së ka refuzuar të pranojë përgjegjësinë dhe të reflektojë për gabimet e bëra. Në vend që të dëgjonte elektoratin dhe të bënte ndryshime të nevojshme, udhëheqja aktuale ka zgjedhur të vazhdojë me të njëjtën arrogancë dhe kokëfortësi.

Çfarë duhet të ndodhë tani me LDK-në?

Nëse LDK-ja dëshiron të mbijetojë dhe të rikthehet si një forcë serioze politike, duhet të ndërmarrë masa drastike:

1. Dorëheqja e menjëhershme e Lumir Abdixhikut dhe e kryesisë aktuale – vetëm një largim i plotë i kësaj strukture mund ta shpëtojë LDK-në nga shpërbërja e plotë.

2. Distancimi nga politika e mashtrimeve dhe e grupeve të interesit – partia duhet të kthehet te parimet e saj themeluese dhe të ndalë lojërat e ndyra politike.

3. Rikthimi i figurave me kredibilitet si : Vjosa Osmanin ,Rexhep Gjergjin, Zejnullah Rrahmanin, Fatmir Sejdiun ,Jusuf Buxhovin, Listen Guxo,Shpëtim Bulliçin,nese doni përfaqësimin e denjë i elektoratit rugovian – LDK-ja duhet të sjellë në lidership individë që gëzojnë besimin e elektoratit, jo klane të interesave personale.

4. Ndërtimi i një platforme të sinqertë dhe kombëtare – pa një vizion të qartë dhe pa një ofertë të besueshme për qytetarët, nuk ka ringjallje të mundshme për LDK-në.

Nëse këto hapa nuk ndërmerren menjëherë, atëherë LDK-ja do të vazhdojë rënien e saj deri në shkrirjen e plotë nga skena politike e Kosovës.

"Sa të besnikë janë në politikë këta të

LDK-së! Edhe kur ikin, ikin me pershëndetje si çingjat."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat