Numërimi i votave për 1280 kandidatët nga 28 subjekte politike që garuan më 9 shkurt për të zënë ulëse në Kuvendin e Kosovës po shkon drejt fundit.
Siç ka bërë të ditur gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica, deri sot në mesditë janë numëruar mbi 83 për qind e votave, apo rreth 2100 vendvotime nga 2533 sa ishin në total.
Ajo tha se deri nesër në mesditë pritet të përmbyllet procesi i numërimit edhe në kryeqytet, si vendi me më së shumti kuti votimi në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nga 258 vendvotime sa pati Prishtina, kanë mbetur edhe 66 kuti që ende nuk janë numëruar, derisa në Qendrën e Numërimit janë shtuar edhe dy njësi monitoruese për të përshpejtuar procesin.
Pasi të përfundojë numërimi i votave për kandidatët, do të fillojë numërimi i votave nga diaspora, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Fillimisht, procesi i numërimit nisi me telashe, duke bërë që në shumë raste gjithçka të kthehej nga fillimi, çka shkaktoi vonesa në punë. Madje, KQZ-ja kishte menduar edhe një “plan B” nëse numërimi përmes sistemit nuk do të funksiononte, për t’iu kthyer metodës së vjetër të numërimit përmes formularëve.
Por, telashet me sistem u rregulluan dhe në shumë komuna është përmbyllur procesi i numërimit.
Kur të përfundojë numërimi, do të hapet rruga për certifikimin e rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja.