Gjykimi për vrasjen në Mitrovicë, i akuzuari rrëfen se si e kishte goditur me thikë viktimën

Aktuale

Gjykimi për vrasjen në Mitrovicë, i akuzuari rrëfen se si e kishte goditur me thikë viktimën

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 20:59
Ilustrim

Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Kemal Mustafa e ka dhënë mbrojtjen, teksa ka dhënë versionin e tij  të ngjarjes, që sipas tij kishte ndodhur në ditën kritike.

Në këtë rast, Kemal Mustafa, akuzohet se vrau S.M., duke e therur me thikë 33 herë.

I akuzuari Mustafa tha se në ditën kritike derisa kishte qenë duke mbledhur kanaçe nëpër kontejnerë të bërllokut, aty kishte shkuar tani i ndjeri S.M., i cili e kishte ndalur automjetin dhe e kishte thirr duke i thënë që të shkojë në automjetin e tij për të mbledhur kanaçe.

Mustafa tha se për herë të parë kishte shkuar në atë vend në të cilin e kishte dërguar tani i ndjeri S.M., dhe se aty kishte qenë shumë errësirë pasi nuk kishte pasur ndriçim, ku në një skaj të rrugës i ndjeri e kishte ndalur automjetin, dhe kishte filluar ta prek në pjesën e poshtme të trupit.

Tutje, i akuzuari Mustafa tha se fillimisht kishte menduar që ishin ndalur afër shtëpisë së tani të ndjerit për t’i marrë kanaçet dhe shishet, por tani i ndjeri S.M., i kishte thënë që nuk kishte për t’i dhënë asgjë, dhe i kishte kërkuar të zhvishej për të kryer marrëdhënie seksuale me të.

Ai tha se tani i ndjeri S.M., kishe dalë nga vetura dhe kishte shkuar në anën tjetër ku kishte qenë ulur i pandehuri, dhe se i njëjti e kishte kapur me vështirësi duke e vendosur në pjesën e përparme të veturës, dhe duke ia zhveshur rrobat në pjesën e poshtme të trupit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Xhemajl Isufi, e ka pyetur të pandehurin si e ka vërejtur që viktima i kishte zhveshur pantallonat e tij.

Lidhur me këtë, i pandehuri tha e kishte vërejtur pasi tani i ndjeri ia kishte futur p… në a… e tij dhe se e gjithë kjo kishte ndodhur shumë shpejtë, ku në ato momente e kishte nxjerrë thikën dhe e kishte goditur. Ndërsa i pyetur pse nuk e kishte deklaruar këtë në polici dhe në prokurori, ai tha se në polici e kishin rrahur dhe prangosur, kurse, në prokuroi nuk e di arsyen përse.

I pandehuri tha se nuk ka pasur mundësi që të ikën nga vendi i ngjarjes para se ta nxjerrë thikën nga xhepi, ai thotë se pasi e kishte goditur, ishte larguar shumë shpejtë nga vendi i ngjarjes duke mos qenë në dijeni sa sa herë dhe ku e kishte goditur tani të ndjerin, dhe duke mos qenë në dijeni se i njëjti ka qenë i gjallë apo i vdekur.

Anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Xhemajl Isufi e ka pyetur të pandehurin se si ka arritur që ta godasë me thikë tani të ndjerin, kur i njëjti kishte qenë i vendosur në pjesën e përparme të veturës.

Lidhur me këtë, i pandehuri tha se dorën e djathtë e kishte të vendosur mbi veturë, ndërsa me dorën e majtë e kishte nxjerrë thikën nga xhepi i pantallonave dhe e kishte goditur prej atij pozicioni derisa i njëjti ishte larguar.

Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjua eksperti i psikiatrisë forenzike, Jeton Zogaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Mustafa, avokatit Rexhep Kaçaniku, tha se në momentin e kryerjes se veprës penale, i pandehuri ka qenë përgjegjës për veprimet e veta.

Ai tha se i pandehuri Mustafa në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë i aftë për ta kuptuar rëndësinë e veprës, dhe se aftësia për t’i kontrolluar veprimet e veta ka qenë e ruajtur.

Tutje, eksperti Zogaj tha se si pjesë e ekipit vlerësues nuk kanë gjetur elemente të tronditjes së fortë mendore tek i pandehuri në kohën e kryerjes së veprës penale.

Ai tha se gjatë ekzaminimit psikiatrik për të pandehurin Mustafa, i njëjti është përjashtuar nga prapambetja, dhe nga çrregullimi i kualitetit psikotip qoftë akut apo kronik, ndërsa sa i përket zhvillimit psiko-fizik dhe gjendjes mendore, tha se e njëjta është konform moshës, zhvillimit dhe edukimit të tij.

Në fund, të gjitha palët fjalët përfundimtare i dorëzuan me shkrim në gjykatë.

Ndërsa, trupi gjykues njoftoi se shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet më 20 shkurt 2025.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 shtator 2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Kemal Mustafës, të cilin e ngarkon se më 11 gusht 2023, rreth orës 23:29 deri në 23:45, në rrugën “UÇK” në lagjen Bair, Mitrovicë, brenda oborrit të spitalit rajonal, me qëllim që ta privojë nga jeta S.M., e goditi me thikë dhe i shkaktoi vdekjen.

Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Mustafa kishte qenë së bashku me djalin e tij të mitur A.K., duke mbledhur kanaçe nëpër kontejnerë të bërllokut, tani i ndjeri S.M., e kishte ndalur automjetin dhe e kishte thirrur të pandehurin Mustafa, dhe i kishte thënë që të shkojë në automjetin e tij për t’ia dhënë disa shishe dhe disa gjëra, ku më pas i pandehuri Mustafa kishte hyrë në automjet të tani të ndjerit S.M., dhe kishin shkuar në lagjen Bair dhe kishin hyrë në oborrin e spitalit, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte pyetur tani të ndjerin se pse e kishte dërguar aty, i njëjti thuhet se i kishte thënë që të zhvishet për të kryer marrëdhënie seksuale.

Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Mustafa kishte refuzuar të kryente marrëdhënie me tani të ndjerin, i cili kishte vazhduar të insistonte dhe e kishte goditur me grusht të pandehurin, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte sulmuar viktimën me thikë 33 herë në trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur, në bazë të ekspertizës së autopsisë për tani të ndjerin.

Me këtë, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat