Gashi: Prokuroria s’pati nevojë ta detyrojë Kurtin përmes Gjykatës, çështja u politizua

Aktuale

Gashi: Prokuroria s’pati nevojë ta detyrojë Kurtin përmes Gjykatës, çështja u politizua

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 21:17
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi ka komentuar kërkesën e Prokurorisë Speciale drejtuar Gjykatës Themelore për të urdhëruar kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë lidhur me hetimet për rezervat shtetërore.

Ai ka vënë në dyshim bazën ligjore të këtij veprimi, duke thënë se Prokuroria kishte kompetenca ta trajtonte çështjen vetë.

“Unë kam tentuar të gjej një normë juridike në kodin e procedurës penale dhe nuk kam mundur ta gjej, se për çfarë arsyeje Prokuroria e involvon Gjykatën përveçse nëse është ndonjë ligj special që nuk është i paraparë me kodin e procedurës penale”, ka deklaruar Gashi në Debat Plus.

Sipas tij, neni 132 i Kodit të Procedurës Penale, që parashikon mundësinë e gjobës apo detyrimit për paraqitje, vlen për fazën e gjykimit dhe jo për fazën e hetimeve.

“Unë prapë po them që Prokuroria ka mundur ta bëj vetë këtë, nuk ka pasur nevojë ta dërgoj në Gjykatë. Nëse kjo kërkesë është e ligjshme atëherë gjykata do të vendos rreth saj, dhe nuk mundet gjykata të imponojë masa më të rënda para se me provu efektin e njëjtë me arrit me masa më të buta, që i bie mund t’i shqiptohet një gjobë prej 250 euro apo mund thjesht të kërkojë të paraqitet para Prokurorisë”, ka deklaruar Gashi.

Duke komentuar refuzimin e Kurtit për t’u paraqitur në Prokurori, Gashi ka potencuar se kjo situatë është politizuar.

“Politikisht, Kurti ka vepruar drejtë kur nuk ka shkuar, sepse si kishte deklaruar edhe vetë, do të ishte paraqitur që po shkon me një çështje ku ka dyshime për rezervat shtetërore”, ka shtuar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat