Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Shumica e votave janë numëruar dhe nga të dhënat e fundit të rezultateve të kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, del se ka 9,224 vota deri më tani.
Durmishi është i 73-ti në listën e kandidatëve më të votuar të LVV-së.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka qenë në qendër të kritikave për tenderë të dyshimtë dhe mospërfundimin e ndërtimit të rrugëve, për disa prej të cilëve ishte dhënë afat, i cili nuk ishte respektuar.
Së fundmi, ura mbi liqenin e Badocit ishte lëshuar për qarkullim të automjeve rreth dy vjet pasi ishte mbyllur për të punuar në ndërtimin e saj.
Pasi u mor vesh se ajo ishte lëshuar për qarkullim pa testim paraprak, Durmishi e konsideronte “vetëm formal” testimin, duke iu përgjigjur kështu akuzave.
Në vitin e fundit të mandatit, Durmishi do ta ketë vizituar më shpesh urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë që qëndron e mbyllur që prej përfundimit të luftës më 1999.
Ajo urë ishte testuar në verë, ndërkohë që Qeveria shprehej e bindur se do të hapej. Perëndimi i tha kryeministrit Albin Kurti se kjo nuk duhet të ndodhte tash, dhe ashtu mbeti. Kamionë me pesha të rënda do të shiheshin mbi urën e lumit Ibër më 8 gusht 2024. Qëndrueshmëria e saj ishte testuar, ndërsa ajo vazhdon të jetë e mbyllur.
Liburn Aliu, i cili e udhëhoqi këtë dikaster, nuk ka garuar fare në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, me arsyetimin se kështu kishte vendosur vetë.