Ish-koloneli i FSK-së: Kosova është krijuar dhe mbështetur nga Amerika, tërheqja e trupave amerikane do të nxiste tensione

Aktuale

Ish-koloneli i FSK-së: Kosova është krijuar dhe mbështetur nga Amerika, tërheqja e trupave amerikane do të nxiste tensione

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 09:43
Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Afrim Veseli

Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Afrim Veseli, ka folur për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova, duke theksuar se kjo do të ishte një zhvillim shumë i dhimbshëm.

Sipas Veselit, është e mundur që trupat amerikane të tërhiqen, por kjo varet nga zhvillimet politike dhe diplomatike globale, sidomos pas ardhjes në pushtet të presidentit Trump.

“Me ardhjen e Trump ka ndryshuar shumë çka. Duket ridizajnimi i rendit të ri botëror dhe ndryshimi i aleancave. Tërheqja e ushtrisë amerikane, për ne pjesëtarëve të UCK-së, FSK-së është tepër e dhimbshme, veç të përmendet lëre më të ndodhë”, deklaroi Veseli.

Ai tha se miqësia dhe bashkëpunimi mes FSK-së dhe ushtrisë amerikane kanë qenë kyçe për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës, duke nënvizuar se çdo krizë e sigurisë në rajon është zgjidhur nga prania e ushtarëve amerikanë.

“I gjithë suksesi i FSK-së ndërlidhet me ushtarët amerikan, çdo problem e sfidë që kishim ata i kishim para dhe pas. Çdo problem në fushën e sigurisë që Kosova ka pasur në veri apo jug, ishin ushtarët amerikan prezent dhe çdo gjë ndryshonte. Serbia me falanga tërhiqej”, shprehet Veseli.

Veseli paralajmëroi se një tërheqje eventuale e trupave amerikane mund të sillte pasiguri dhe tensione, sidomos në rajonin e Ballkanit, që mund të çonin në konflikte të reja.

“Kosovës dhe rajonit në Ballkanin perëndimor do t’i sjellë brishtësi dhe konflikte që nëse fillojnë vështirë të menaxhohen. Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi e Bosnja, mjafton të mos kenë syrin vrojtues të ushtarit amerikan dhe për pak orë, Ballkani do të shpërthente si në 90’ta e për këtë situatë një ditë politikan të caktuar do ti japin llogari Kosovës për veprimet që sollën qëndrimin amerikan të ndryshoj ndaj vendit”.

Megjithatë, ai shprehu besimin se SHBA-të nuk do ta braktisin Kosovën, duke theksuar se Kosova është krijuar dhe mbrojtur nga Amerika.

“Unë besoj fuqishëm se ushtria amerikane s’do të tërhiqet. Italia dhe trupat e saj edhe nëse e marrin përgjegjësinë për mbrojtën e Kosovës , faleminderit por asnjë në NATO s’janë si amerikanët”, tha ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat