Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes Myrtezani, miqve dhe të gjitha strukturave të degës në Dragash për ndarjen e hershme të veprimtarit të palodhur të Lidhjes Demokratike, Naser Myrtezani.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të arsimtarit dhe veprimtarit tonë, Naser Myrtezani. Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Veprimtari Naser Myrtezani ishte një shembull i përkushtimit në arsim dhe zë i fuqishëm në jetën politike, duke dhënë një kontribut të çmuar për qytetarët e Dragashit por edhe për çështjen kombëtare”, ka shkruar Abdixhiku në telegramin e tij të ngushëllimit.
Tutje, ai thotë se trashëgëmia e Myrtezanit do të mbetet gjithmonë e gjallë.
“Trashëgimia e tij si arsimtar, veprimtar dhe asambleist do të mbetet gjithmonë e gjallë në kujtimet tona dhe në brezat që ai ndikoi me punën dhe përkushtimin e tij. Ndërsa, për shtëpinë tonë të përbashkët politike, Naser Myrtezani ishte veprimtari e aktivisti i jashtëzakonshëm dhe i palodhur që dha e punoi shumë për vlerat e përbashkëta që i ndamë. Në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe timin personal, ju shpreh ngushëllime familjes Myrtezani, miqve, strukturave tona në Dragash si dhe të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të”, ka shkruar tutje i pari i LDK-së.
“Le të kujtojmë gjithmonë shembullin e tij si një veprimtar që nuk u dorëzua kurrë, i cili mbrojti dhe nderoi idealet tona, prandaj do të mbetet përjetësisht pjesë e historisë dhe shpirtit tonë politik. I përjetshëm qoftë kujtimi për veprimtarin, Naser Myrtezani!”