Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka përfunduar numërimin e të gjitha votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Aktualisht është duke vazhduar procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë, ku deri tani janë numëruar 92.73% e vendvotimeve.
Nga numërimi i këtyre vendvotimeve, në media kanë qarkulluar listat e partive politike dhe kandidatëve të tyre për deputet, me numrin e votave që kanë marrë.
Si rezultat i numrit të votave që kanë fituar deri tani, ende pa përfunduar numërimi i të gjitha vendvotimeve dhe votave të tjera, siç janë: numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës, listat e partive politike kanë sjellë befasi.
Shumë figura të njohura të të gjitha partive politike rrezikojnë të mbesin jashtë Kuvendit të Kosovës, dhe shumë të tjera të reja pritet të zënë vendet e tyre për herë të parë në këtë institucion.
Megjithatë, listat mund të ndryshojnë në përqindje të vogël.
Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, top pesë figurat më të njohura që deri tani nga numërimi i votave duket se nuk do të kenë ulëse në Kuvend janë: Hysen Durmishi, Rozeta Hajdari, Enver Dugolli, Ardian Gola dhe Ismajl Kurteshi.
Befasi në listën e LVV-Alternativa e Guxo ishin emrat e rinj që pritet të sigurojnë ulëse në Kuvend. Pesë prej tyre janë: Edona Llalloshi, Liza Gashi, Bylbyl Sokoli, Nezir Kraki dhe Ilir Kërçeli.
Edhe në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, figura të njohura rrezikojnë të mbesin jashtë Kuvendit.
Top pesë prej tyre janë: Xhavit Haliti, Ardian Kastrati, Hisen Berisha, Hajdar Beqa dhe Eliza Hoxha.
Befasi në listën e kësaj partie gjithashtu ishin emrat e rinj që kanë marrë numër të konsiderueshëm të votave. Pesë nga ta janë: Sala Jashari, Artan Behrami, Altin Krasniqi, Petrit Hajdari dhe Kosovare Murseli.
Megjithatë, duke llogaritur plotësimin e kuotës gjinore, vendet mund të ndryshojnë.
Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga votat e numëruara deri më tani, jashtë Kuvendit rrezikojnë të mbesin këto top pesë figura: Arben Gashi, Drita Millaku, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi dhe Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Top pesë emrat e rinj nga kjo parti që befasuan me vota dhe pritet të jenë pjesë e kësaj legjislature në Kuvend janë: Paris Guri, Fadil Hadërgjonaj, Jehona Lushaku-Sadriu, Serbeze Muçaj dhe Alban Zogaj.
Megjithatë, ndryshimet në listën e LDK-së mund të jenë më të mëdha duke llogaritur edhe mandatet që i kanë fituar kryetarët e komunave, si dhe kuotën gjinore.
Edhe në listën e koalicionit AAK-Nisma, jashtë Kuvendit nga rezultatet e deritanishme, figura të njohura rrezikojnë të mbesin jashtë Kuvendit.
Prej tyre janë: Besnik Tahiri, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj, Albana Bytyqi.
Katër ish-deputetët e legjislaturave të mëhershme Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Lahi Brahimaj, Ardian Gjini bashkë me deputeten e re Arbëreshë Krasniqi kanë marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë.
Nëse Ardian Gjini mban pozitën e kryetarit të Komunës, atëherë zëvendësohet nga Vesel Krasniqi i Nismës Socialdemokrate.
Të dhënat preliminare të KQZ-së tregojnë se ky koalicion në zgjedhjet e 9 shkurtit ka fituar 8 mandate.