​Kurti: Trepça nuk është vetëm një emër me histori, por edhe një forcë e gjallë për zhvillimin tonë

Aktuale

​Kurti: Trepça nuk është vetëm një emër me histori, por edhe një forcë e gjallë për zhvillimin tonë

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 14:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Manifestimi tashmë tradicional ‘Java e Minatorëve’ ka filluar sot në Stantërg, në shenjë përkujtimi të 36- vjetorit të grevës historike të minatorëve të Trepçës, e cila pati lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë.

Të pranishëm në këtë manifestim ishin autoritete të larta shtetërore, komunale, udhëheqës të institucioneve, ish pjesëmarrës të grevës së lavdishme, minatorë etj.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se kërkesat e minatorëve asokohe ishin politike për ta mbrojtur Kosovën nga politikat shtypëse dhe diskriminuese nga ana e Serbisë. Sipas tij, Trepça është forcë e gjallë për zhvillimin e gjithmbarshëm dhe se me hapa konkret ajo po e merr vendin që I takon në ekonominë tonë e Kosovës.

Kurti: Trepça nuk është vetëm një emër me histori, por edhe një forcë e gjallë për zhvillimin tonë

Greva e vitit 1989 shënon edhe përvjetorin e një greve tjetër që është harruar. Është greva e vitit 1939, kur 3 mijë punëtorë të Trepçës kanë hyrë në grevë për kushte më të mira të punës dhe i kanë fituar ato… Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara asokohe në gjithsej dhjetë pika që i mësoi e gjithë Kosova, shqiptaria dhe i tërë opinioni ndërkombëtar, ndër të cilat pika e tetë thoshte, po citoj, fati i shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara… dhe në thelbin e përmbajtjes së tyre kërkesat e minatorëve ishin kërkesa politike për të mbrojtur gjithë Kosovën nga politikat shtypëse, shfrytëzuese dhe diskriminuese të Serbisë dhe përpjekjet e saj për degradimin e statusit të Kosovës… Por edhe në kohët e fundit Trepça po tregon se nuk është vetëm një emër me histori, por edhe një forcë e gjallë për zhvillimin tonë. Me hapa konkretë ajo po e merr vendin që i takon në ekonominë tonë… Prandaj të dashur minatorë, e ardhmja e Trepçës nuk është vetëm në tokë, por është edhe në duart e atyre që e ndërtojnë përditë”, ka thënë Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se 36 vjet më parë minatorët ndëshkuan përpjekjet për robërimin e Kosovës dhe tjetërsimin e tokës së saj.

Rizvanolli: Greva e minatorëve, një ngjarje e historisë së Kosovës

Java e minatorëve shënon grevën e madhe të xehetarëve ku 36 vjet më parë ndëshkuan përpjekjet për ta robëruar Kosovën e për të tjetërsuar tokën e saj. Minatorët tanë i dolën në mbrojtje së drejtës së Kosovës për vetëqeverisje me qëndresën e tyre ndaj Serbisë pushtuese, shpërfaqën themelet e lirisë e demokracisë dhe ato mbështeten mbi dashurinë ndaj atdheut, punën e ndershme dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj pasurisë së popullit. Kur kujtojmë këto porosi, bindemi se greva e minatorëve nuk ishte thjesht një ngjarje e historisë së Kosovës, por një rrëfim për historinë dhe të ardhmen e mbarë Evropës”, tha Rizvanolli.

Ndërkaq, Faton Ahmeti, ushtrues detyre i kryeshefit të ndërmarrjes Trepça, tha se greva e minatorëve të asaj kohe nuk ishte vetëm akt sindikal, por një mesazh i fuqishëm në vullnetin e pathyeshëm për popullin e Kosovës, për të jetuar të lirë dhe të barabartë.

Ahmeti: Minatorët tanë u bënë simbol i rezistencës

Në ato ditë të vështira minatorët tanë u bënë simbol i rezistencës dhe guximit duke qëndruar të palëkundur përballë padrejtësisë dhe shtypjes. Greva e tyre nuk ishte vetëm një akt sindikal, por një mesazh i fuqishëm në vullnetin e pathyeshëm për popullin tonë, për të jetuar të lirë dhe të barabartë”, u shpreh Ahmeti.

Ndryshe, me rastin e këtij përvjetori, sindikata e punëtorëve të Trepçës ka organizuar aktivitete të ndryshme që do të mbahen deri më 28 shkurt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat