Ka përfunduar angazhimi i avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, Michiel Pestman dhe tani avokati David Young do ta përfaqësojë Fadil Fazliun në çështjen gjyqësore ndaj tij në Hagë.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të administratores së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Fidelma Donlon më 19 shkurt 2025.
Fazliu e kishte bërë kërkesën që Young të emërohej si avokat i tij, më 16 dhjetor 2024, për çka dy ditë më vonë administratorja kishte kërkuar opinion nga paneli i gjyqtarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe tek gjyqtarja e procedurës paraprake në këtë rast, lidhur me atë nëse ka konflikt interesi emërimi i Young në këtë post.
Më 27 janar 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se nuk ekziston konflikt i interesit për emërimin e Young si avokat i Fazliut. Ngjashëm kishte konstatuar edhe trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Si rrjedhojë, më 18 shkurt 2025, është emëruar David Young në pozitën e avokatit të specializuar për Fadil Fazliun, duke përfunduar kështu angazhimi i avokatit Pestman.
Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor 2024.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.