Halil Geci ka bërë sërish një shkrim për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ku tha se kjo e fundit është në një krizë të thellë.
Ai përmes një postimi në Facebook tha se që LDK-ja është kapur nga struktura të cilat, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, arritën ta pushtojnë partinë nga brenda.
Krahas kësaj, Geci potencoi se humbja në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është vetëm çështje numrash, por një krizë e thellë e besimit dhe identitetit.
Madje, për këtë edhe kërkoi dorëheqje të udhëheqësisë aktuale
“Sot, një nga shqetësimet më të mëdha për LDK-në mbetet rrjedhja e vazhdueshme e elektoratit të saj drejt LVV-së, një trend që nisi fuqishëm në vitin 2021 dhe nuk është ndalur. Ky proces do të vazhdojë për aq kohë sa lidershipi aktual nuk jep dorëheqje dhe nuk e çliron partinë nga ndikimi i grupeve të interesit, të cilat e kanë kapur LDK-në dhe e kanë larguar nga vlerat e saj tradicionale”, shkroi ndër të tjera ai, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
LDK në krizë të thellë: Humbja që nxori në pah dështimin e lidershipit
Në shkrimet e mia të vazhdueshme për më shumë se një dekadë, kam theksuar vazhdimisht se LDK-ja është kapur nga struktura të cilat, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, arritën ta pushtojnë partinë nga brenda.
Këto struktura sollën në krye të saj individë me të kaluar problematike, përfshirë Isa Mustafën, i cili gjatë kohës së autonomisë së Kosovës ka qenë i njohur për rolin e tij si bashkëpunëtor i regjimit dhe si pjesë e proceseve të diferencimit politik ndaj studentëve dhe profesorëve. Kjo periudhë shënoi fillimin e një devijimi të madh nga parimet rugoviane dhe transformimin e LDK-së në një parti të dominuar nga interesa të ngushta dhe klane të caktuara.
Që nga largimi i Ibrahim Rugovës, u bë e qartë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar disfata të njëpasnjëshme, ndërsa sot ka shënuar humbjen më të rëndë në historinë e saj.
Për shumë nga mbështetësit e saj, kjo disfatë nuk është thjesht një çështje numrash, por një krizë e thellë identitare dhe besimi. Problemi kryesor duket të jetë distancimi i lidershipit aktual nga baza tradicionale rugoviane, si dhe strategjitë e dështuara për ta kthyer partinë në një alternativë serioze, e cila mbron dhe respekton statutin e LDK-së – të ndërtuar dikur nga Ibrahim Rugova dhe rrethi i intelektualëve e akademikëve me emër.
Kur elektorati rugovian e kuptoi se LDK-ja kishte marrë tatëpjetën, u distancua nga drejtuesit e tanishëm të partisë, duke i shpëtuar kështu zhdukjes politike. Rugovistët e vërtetë e bënë këtë nga dhimbja dhe shqetësimi për të mos humbur identitetin e tyre politik, prandaj iu drejtuan listës “Guxo”, të ndërtuar nga Presidentja Vjosa Osmani.
Sot, një nga shqetësimet më të mëdha për LDK-në mbetet rrjedhja e vazhdueshme e elektoratit të saj drejt LVV-së, një trend që nisi fuqishëm në vitin 2021 dhe nuk është ndalur. Ky proces do të vazhdojë për aq kohë sa lidershipi aktual nuk jep dorëheqje dhe nuk e çliron partinë nga ndikimi i grupeve të interesit, të cilat e kanë kapur LDK-në dhe e kanë larguar nga vlerat e saj tradicionale.
Vazhdon….