Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryetari i degës së kësaj partie në Gjilan, Lufti Haziri, ka deklaruar se LDK do të vazhdojë të jetë konstruktive për zgjidhjen e çështjes së buxhetit të Komunës së Gjilanit.
“Ne e duam Gjilanin më shumë se partinë. Këtë e kemi dëshmuar në vazhdimësi. E falënderoj kryesuesin e Kuvendit, z. Kushtrim Kadriu, për ftesën dhe përpjekjen e tij për të shafitur dallimet sa i përket buxhetit të Gjilanit, përkundër që ekzekutivi nuk është koordinuar dhe ka vepruar njëanshëm”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka theksuar se LDK, si partia më e madhe në Kuvendin Komunal, ka dëshmuar konstruktivitetin për të mirën e përgjithshme dhe ka përgëzuar edhe partitë tjera opozitare për qasjen e tyre të përgjegjshme.
LDK ka rikonfirmuar edhe një herë se buxheti duhet të zbatohet sipas ligjit dhe udhëzimeve të Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.
Sipas Hazirit, ministri i ka sqaruar qartë ekzekutivit të Gjilanit mënyrën e përgatitjes dhe miratimit të buxhetit komunal.
“Duhet të zbatohet ligji për buxhet, që nënkupton organizimin e dëgjimeve buxhetore, përfshirjen e projekteve të nisura dhe angazhimin e palëve të interesuara për të kontribuar. Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Kuvendi janë vendimmarrës në emër të qytetarëve”, ka theksuar ai.
Haziri ka nënvizuar se konsultimet e brendshme janë thelbësore për këtë proces dhe se LDK ka vepruar përtej interesave partiake, duke u fokusuar në të mirën e qytetarëve të Gjilanit, përfshirë punëtorët shëndetësorë dhe arsimtarët. Ai ka përmendur se pjesëmarrja e Gjilanit në grantin e qeverisë është 4.2 milionë euro.
“Dashurinë që ma kanë dhënë qytetarët në vazhdimësi, do t’ua kthej me angazhim dhe përgjegjësi edhe më të madhe në punë, duke qenë gjithmonë, Luta Juaj!”, ka përfunduar Haziri.