​Armëmbajtjet pa leje, në tri vitet e fundit vetëm në një rast është shqiptuar dënimi me burgim

Aktuale

​Armëmbajtjet pa leje, në tri vitet e fundit vetëm në një rast është shqiptuar dënimi me burgim

Më: 21 shkurt 2025 Në ora: 11:47
Foto nga vendi i ngjarjes

Politikat ndëshkimore të gjyqësorit në Kosovë për veprat e armëmbajtjes pa leje kryesisht janë me gjobë.

Kështu u bë e ditur në raportin “Dënimet me gjobë-“leje” për armëmbajtje”, të Institutit të Kosovës për Drejtësi(IKD), që u publikua të premten.

Autorja e këtij raporti, Zamira Krasniqi, tha se nga analiza e 156 aktgjykimeve të shtatë gjykatave themelore dhe 46 aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit del se vetëm në një rast është shqiptuar dënim me burgim për armëmbajtje pa leje.

Sipas legjislacionit të Kosovës për raste të tilla parashihet dënim me burgim deri në pesë vjet.

Sipas saj, në analizën përgjatë tri viteve të fundit vihet në pah se edhe lartësia e gjobave të shqiptuara është e ulët, përkundër që sipas Kodit Penal të Kosovës parashihet që gjoba më lartë të jetë 7500 euro.

Krasniqi: Politikat ndëshkimore të gjyqësorit në Kosovë për veprat e armëmbajtjes pa leje kryesisht janë me gjobë

Nga kjo analizë rezulton se gjatë kësaj periudhe dënimet për armëmbajtje pa leje kanë qenë kryesisht me gjobë. Për më tepër, nga 147 raste vetëm në një rast është shqiptuar dënim me burgim. Konkretisht në 147 raste të armëmbajtjes pa leje janë shqiptuar 28 dënime me gjobë, 18 dënime me kusht dhe vetëm në një rast është shqiptuar dënimi me burgim. Kjo shprehur në përqindje i bie se vetëm 0.68 për qind të rasteve është shqiptuar dënim me burgim të armëmbajtjes pa leje. Përkundër asaj që në shumicën dërrmuese të rasteve shqiptohen vetëm gjoba për armëmbajtje pa leje del të jetë se edhe lartësia e këtyre gjobave mbetet e ulët në krahasim me maksimumin e saj ligjor. Edhe pse Kodi Penal i Kosovës dënueshmërinë me gjobë e parasheh të jetë deri në 7500 euro, mesatarja e lartësisë së gjobës në tri vitet e fundit del të jetë më e ulët se 1000 euro”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala, tha se çështja e armëmbajtjeve pa leje në Kosovë është një çështje shqetësuese, pasi sipas tij, në bazë të raporteve e ndërkombëtare qindra mijëra armë pa leje janë në duart e qytetarëve.

Shala: Qindra mijëra armë pa leje janë në duart e qytetarëve

Çështja e armëmbajtjeve pa leje në Kosovë vazhdon të konsiderohet një çështje shqetësuese. Raportet e ndryshme theksojnë se qindra mijëra armë pa leje janë në duart e qytetarëve. Kjo paraqet rrezik për sigurinë shoqërore në Kosovë. Kodi penal i Kosovës ka përcaktuar dënime të konsiderueshme të larta përkitazi me këto vepra penale, mirëpo që kështu nuk po del të jetë në praktikë”, tha ai.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga organizata ndërkombëtare Small Arms Survey në vitin 2018, rreth 436,000 armë gjenden në duart e civilëve ne Kosovë, prej të cilave afro 392,794 janë të paligjshme. Hulumtimi tregon se çdo vit futet në Kosovë një numër prej rreth 1,200 deri në 1,300 armë të reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat