Trendafilova miraton modifikimin e dënimit të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit

Aktuale

Trendafilova miraton modifikimin e dënimit të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit

Më: 21 shkurt 2025 Në ora: 11:55
Ekaterina Trendafilova

Më 19 shkurt, Kryetarja e Dhomave të Specializuara (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi modifikimin e dënimeve të Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari dhe mundësoi lirimin e tyre më 21 shkurt 2025, me kushtet e përcaktuara në vendimet përkatëse.

Nga DHSK njoftohet se këto kushte do të mbeten në fuqi deri në përfundim të dënimeve të dhëna nga Trupi Gjykues, domethënë për pjesën e mbetur të dënimit me dy vjet që iu shqiptua secilit prej tyre.

“Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e Trupit Gjykues që shqiptoi dënimin, sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) si dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

Kryetarja konstatoi se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Januzi dhe z. Bahtijari u shpallën fajtorë janë padyshim të rënda, duke pasur parasysh pasojat që ka frikësimi i dëshmitarëve për administrimin e drejtësisë, ekzistonin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tyre”, thuhet në njoftim.

Vendimet e Kryetares, që janë vendimi i tretë dhe i katërt mbi uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimeve, mund t’i gjeni këtu në faqen e internetit të DHSK-së (Januzi; Bahtijari).

Po ashtu bëhet e ditur se procedura në lidhje me uljen, modifikimin dhe ndryshimin e dënimit sipas nenit 51(2) të Ligjit, është procedurë më vete. Kur personi i dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtën që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat