​Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhje, çfarë ndikimi pati reagimi i misionit të BE-së

Aktuale

​Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhje, çfarë ndikimi pati reagimi i misionit të BE-së

Më: 21 shkurt 2025 Në ora: 13:07
Foto ilustrim

Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës është e dëmshme për demokracinë e vendit. Kështu komentohet presioni i Beogradit zyrtar për votimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pas përfundimit të këtij procesi, ka reaguar edhe misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë por edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin e Agder-it në Norvegji, Abit Hoxha vlerëson se ndërhyrja e tillë e Serbisë është e vazhdueshme.

Hoxha: Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës nuk është mirë për demokracinë e vendit

“Kjo është në vazhdën e intervenimit që Serbia bënë përmes eksponentëve të vet në Kosovë. Ka qenë e pritur, në Ballkan është kjo goxha e theksuar kjo mënyrë e veprimit me zgjedhjet, intervenimi në zgjedhje në shtetet fqinje. Ka qenë në përmasa të pritjes por gjithsesi nuk është mirë për demokracinë e Kosovës që të intervenohet prej një shteti tjetër të votohet ashtu në mënyrë të organizuar”, deklaron Hoxha.

Institucionet vendore, siç thotë ai, duhet të punojnë me komunitetin serb në Kosovë. Veç kësaj, konsideron se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë ndërhyrjen e Serbisë në vend.

Hoxha: Bashkësia ndërkombëtare nëse do të kishte parime, nuk do të lejonte ndërhyrje të tilla

Çështja e Listës Serbe dhe forcimi i Listës Serbe i konvenon vetëm Serbisë. Edhe kjo është konsekuenca e parë. Konsekuenca e dytë për institucionet e Kosovës është se forcimi i Listës Serbe ndoshta mund të krijojë një ‘king maker’ të ri në krijimin e qeverisë, por nëse jo ashtu do të krijojë një barrierë të brendshme në institucionet e Kosovës e cila gjithmonë do të përfaqësojë interesin e shtetit serb në Kosovë...Nëse bashkësia ndërkombëtare do të kishte parime pak më të theksuara në Ballkan nuk do të lejonte këso intervenimesh, apo të paktën do të tërhiqte vërejtjen OSBE ose institucione të tjera që merren me zgjedhjet - Këshilli i Evropës dhe tjerat që të mos bëhet në mënyrë të vazhdueshme”, shton ai.

Të pamjaftueshëm e konsideron reagimin e Bashkimit Evropian për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Gërgi: Reagimi i parë do të duhej të vinte nga institucionet e Kosovës

Nuk mjafton [reagimi] sepse reagimi i parë do të duhej të vinte nga institucionet e Kosovës. Ne nuk kemi parë asnjë reagim as nga presidenca, as nga Zyra e Kryeministrit apo nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilët do të duhej të reagonin ndaj shkeljeve sistematike që po i bëhen marrëveshjes së Ohrit. Dhe duhet ta kuptojmë se sa herë që faktori ndërkombëtar kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ata e bëjnë këtë bazuar në marrëveshjen e Ohrit dhe kanë të drejtë ta kërkojnë sepse po është pjesë e marrëveshjes. Mirëpo, shkelja sistematike e kësaj marrëveshje nga ana e Serbisë do ta bënte themelimin e Asociacionit në këtë kohë një projekt potencialisht të dëmshëm për sovranitetin e Kosovës”, shprehet Gërgi.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq i ka reaguar Rohdes, duke thënë se ka shfaqur “njëanshmëri të qartë”.

Besar Gërgi nga GLPS konsideron se këto deklarata nuk kanë efekt real.

Gërgi: Deklaratat e Petkoviq nuk kanë efekt real në terren

Petkoviqi si drejtor i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në qeverinë serbe zakonisht bënë këso deklarata, pasi që duhet ta kemi parasysh se nuk kanë shumë efekt në terren këto zyre dhe në mungesë të efektivitetit me politika, ata bëjnë këso deklaratash që të fitojnë pikë pozitive para elektoratit serb por nuk kanë shumë efekt real në terren”, përfundon ajo.

Në intervistën e dhënë ditë më parë për KosovaPress të shefes së Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e Kosovës.

Loiseau: Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë

Do të isha më negative në lidhje me raportet për presionet që vijnë nga Serbia për të votuar për një listë të caktuar. Kemi dëgjuar zyrtarë të Serbisë që mbështesin një listë të caktuar, e cila është ndërhyrje në procesin zgjedhor. Po ashtu, ishim dëshmitarë të ndërhyrjes nga i dërguari i posaçëm i SHBA-ve, [Richard]Grenell, dhe kjo është e pafat, shokuese dhe jo diplomatike. Kemi dëgjuar rregullisht presidentin [serb] Vuçiq, por edhe anëtarë të tjerë nga qeveria ose parlamenti i Serbisë, duke u thënë votuesve se duhet të votojnë për një listë të caktuar, dhe kjo nuk duhej të kishte ndodhur”, deklaron ajo.

Mbi 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian janë angazhuar ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt, ku të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 970 mijë votues. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat