Analisti Halil Geci, thotë se afrimi i Fatmir Limajt me Albin Kurtin e trondit opozitën dhe ngrit në këmbë Vuçiqin.
Përmes një shkrimi në Facebook, Geci shkruan se Limaj prej kohësh kërkonte një vend në PDK, por ajo e injoroi dhe për këtë ai u afrua me VV-në që të rimëkëmbë imazhin e tij politik.
“Me sa duket, qeveria po ndërtohet pa ndihmën e askujt, duke i lënë disa deputetë të opozitës në pritje të një mundësie për t’u pasuruar, me bindjen se Kurti nuk mund ta bëjë shumicën e nevojshme pa ta. Por realiteti po tregon të kundërtën.
Deklarata e Fatmir Limajt për bashkëpunim me Albin Kurtin nuk është befasuese. Prej kohësh, Limaj kërkonte një vend në PDK, partinë me të cilën u rrit politikisht, por kjo e fundit e injoroi plotësisht. I lënë mënjanë, Limaj e pa afrimin me VV-në si një mundësi për të rimëkëmbur imazhin e tij politik, veçanërisht duke parë se çdo forcë që ka hyrë në koalicion me PDK-në dhe Listën Serbe ka përfunduar në krizë dhe humbje”, ka shkruar Geci.
Tutje, ai shton se shembull më i mirë për këtë është LDK-ja, që pësoi disfatë të rëndë pas aleancave me PDK-në dhe Beogradin.
Shkrimi i plotë:
“Afrimi i Limajt me Kurtin trondit opozitën dhe ngrit në këmbë Vuçiçin”
Me sa duket, qeveria po ndërtohet pa ndihmën e askujt, duke i lënë disa deputetë të opozitës në pritje të një mundësie për t’u pasuruar, me bindjen se Kurti nuk mund ta bëjë shumicën e nevojshme pa ta. Por realiteti po tregon të kundërtën.
Deklarata e Fatmir Limajt për bashkëpunim me Albin Kurtin nuk është befasuese. Prej kohësh, Limaj kërkonte një vend në PDK, partinë me të cilën u rrit politikisht, por kjo e fundit e injoroi plotësisht. I lënë mënjanë, Limaj e pa afrimin me VV-në si një mundësi për të rimëkëmbur imazhin e tij politik, veçanërisht duke parë se çdo forcë që ka hyrë në koalicion me PDK-në dhe Listën Serbe ka përfunduar në krizë dhe humbje.
Shembulli më i mirë për këtë është LDK-ja, e cila pësoi disfatë të rëndë pas aleancave të saj me PDK-në dhe Beogradin. Ndërkohë, afrimi i Limajt me Vetëvendosjen ka goditur jo vetëm PDK-në dhe LDK-në, por edhe Listën Serbe dhe vetë Vuçiçin, i cili shpresonte që lista e kontrolluar nga Beogradi, në bashkëpunim me PDK-në dhe LDK-në, të arrinte të formonte qeverinë. Kjo strategji dështoi.
Më herët, një aleancë me Vetëvendosjen ia pata sugjeruar edhe Ramush Haradinajt, por ai nuk arriti ta tejkalojë hidhërimin e tij për t’u bërë pjesë e qeverisë. Kokëfortësia e tij e çoi në margjina dhe tashmë dera i është mbyllur. “Hajt, Ramush, se e mbyll Fatmiri derën për ty, se edhe ashtu po e meriton! Gjithmonë po trokitje në derën e gabuar, prandaj gjithmonë do mbetesh i humbur në besimin tënd,” do t’i thoja sot.
Të njëjtën gjë ia pata sugjeruar edhe LDK-së, por ata “e çuan shurrën përpjetë dhe ajo u ra në gojë”, duke mos mundur ta gëlltisin realitetin politik.
Në fund, VV-ja po e formon qeverinë pa nevojën e askujt. Disa deputetë të opozitës menduan se do të përfitonin miliona nga Kurti për të kaluar në anën e tij, por me sa duket, thesi u ka mbetur i zbrazët!