Javën e ardhshme nis numërimi i votave me postë, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Aktuale

Javën e ardhshme nis numërimi i votave me postë, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Më: 21 shkurt 2025 Në ora: 17:36
Foto ilustrim

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se aktualisht KQZ-ja po e bën vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.

Elezi  tha se nga 9 shkurti kur ka filluar verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës e deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48 mijë e 18 pako, prej të cilave 45 mijë e 4 pako janë aprovuar ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 14 pako.

“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj.  Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 20,938 pako me fletëvotime”, tha Elezi.

Më tej, Elezi tha se numërimi i votave të diasporë, atyre me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta do të nis gjatë javës së ardhshme.

“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”.

“Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë”, tha Elezi.

Tutje, ai bëri të ditur se numri i zarfeve me fletëvotime nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat tha se po ashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, ndërkaq numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat