Befason eksperti: Grenell viziton Kosovën dhe Serbinë për marrëveshjen përfundimtare

Aktuale

Befason eksperti: Grenell viziton Kosovën dhe Serbinë për marrëveshjen përfundimtare

Më: 21 shkurt 2025 Në ora: 23:03
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka bërë të ditur se i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në fillim të marsit, në përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.

Gjatë një lidhje live në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania, Shala theksoi se vizita e Grenellit do të fokusohet në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, me theks të veçantë te bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në periudhën që po flasim, deri në fund të javës së parë të marsit, Richard Grenell pritet të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin në kuadër të përpjekjeve diplomatike për një marrëveshje përfundimtare. Thuhet se burime diplomatike kanë konfirmuar se kjo vizitë është pjesë e një axhende të ngjeshur për stabilitetin në rajon,” deklaroi Shala.

Sipas tij, kjo lëvizje mund të nxisë elementë destabilizues nga Serbia, të cilët mund të tentojnë të krijojnë tensione në Kosovë për të devijuar vëmendjen nga procesi i negociatave.

Akuzat kundër shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe Kosovës

Në të njëjtin diskutim, eksperti i sigurisë u ndal edhe tek akuzat e fundit të Serbisë ndaj shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai sqaroi se ditët e fundit në Republikën e Kosovës është ngritur një aktakuzë në lidhje me dekonspirimin e një strukture specifike të inteligjencës serbe, e cila kishte si qëllim jo vetëm mbështetjen e politikës së Beogradit ndaj Gjykatës Speciale, por edhe ndërhyrje në veprimtarinë politike në Kosovë.

Sipas burimeve, pjesë e kësaj veprimtarie ishte dhe vendosja e kamerave të fshehta në hotele të ndryshme për të përgjuar politikanë shqiptarë.

Shala tha se Serbia vazhdon të përdorë taktika të ndryshme për të mbajtur tensionin e lartë dhe për të minuar nacionalizmin shqiptar në rajon.

“Beogradi po shfrytëzon edhe Kroacinë për të ushtruar ndikim në zhvillimet politike, duke tentuar të përçajë dhe destabilizojë situatën në Ballkanin Perëndimor,” përfundoi eksperti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat