Profesori i Shkencave Politike, Enver Bytyçi ishte këtë të premte i ftuar në “Balkan Talks” në Euronews Albania ku tha se lëvizja e studentëve në Serbi është një lëvizje që duhet të merret seriozisht.
Sipas Enver Bytyçit kjo lëvizje e studentëve në Serbi tregon që populli nuk ka më besim te politika, por megjithatë kjo protestë ka dëshmuar gjithashtu se kultura politike është më e lartë në krahasim me vendin tonë ku sipas tij brenda 24 orëve studentët bën armiq profesorët e tyre.
“Protestat kanë si shkak mungesën e demokracisë dhe të lirisë, kanë si shkak korrupsionin galopant dhe bashkëpunimin e pushtetit me segmente të nëntokës dhe të krimit, kanë si shkak bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë në funksion të pushtetit e jo të vendit, e mbi gjithçka, konkluzioni është se Vuçiç si dhe liderë të tjerë në rajonin tonë nuk kanë në objektivin e tyre interesat e vendit, por vetëm pushtetin, për të mbajtur pushtetin ata bëjnë gjithçka”,-tha profesori.
Ai shtoi se studentët e kanë tronditur Serbinë, ndërsa sipas tij ata na kanë dhënë mësime të vlefshme.
“Studentët serbë na kanë dhënë një mësim sepse ata nuk bëjnë kompromise. Në serbi, të paktën prindërit dhe profesorët janë përkrahë studentëve, ndërsa në Shqipëri kur pati një protestë të studentëve prindërit nuk patën guxim ti mbështesnin”,-tha Bytyçi.