Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Aktuale

Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Më: 22 shkurt 2025 Në ora: 00:11
Haki Abazi

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duke dhënë një mesazh për qytetarët dhe duke shprehur shqetësimet e tij mbi procesin zgjedhor dhe gjendjen e vendit.

Në një postim të gjatë, Abazi ka falënderuar votuesit për mbështetjen dhe ka uruar që Kuvendi të rikthehet në një institucion të vërtetë demokratik.

Ai e ka cilësuar procesin zgjedhor si një demonstrim të lartë të kulturës demokratike të qytetarëve, por ka kritikuar administrimin e votës dhe ka ngritur shqetësime për manipulime dhe keqpërdorime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Administrimi i votës dhe mbrojtja e integritetit të saj kanë shënuar pikën më të ulët. Është për keqardhje që 25 vite pas luftës, për herë të parë ndodh kjo gjë, duke krijuar shijen e keqe dhe duke ngritur dyshime për manipulime”, ka shkruar ai.

Abazi ka theksuar se varfëria ekonomike dhe mungesa e mendimit kritik kanë ndikuar në orientimin e votës dhe përfaqësimin në Kuvend, duke e cilësuar këtë një rrezik për demokracinë. Ai ka kritikuar ashpër popullizmin dhe mungesën e debatit të hapur, duke thënë se fushata zgjedhore është karakterizuar nga fyerje dhe shmangie e llogaridhënies.

Duke folur për situatën aktuale, Abazi e ka quajtur Kosovën në një udhëkryq me shumë të panjohura dhe ka bërë thirrje për reflektim dhe unitet.

“Momenti është që të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale në lartësinë e interesit kombëtar! Ndryshe, do të vazhdojmë të jemi të fundit në secilin proces”, ka përfunduar Abazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat