Aktori shqiptar Çun Lajçi përmes një postimi në Facebook iu ka reaguar opozitës në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve.
Ai thotë se opozita është gëzuar për ulëset në Kuvend pasi të njejtat do të iu sjellin edhe pak famë, përcjell “Bota sot”.
Lajçi përmend një deklaratë të Vuçiqit drejtuar opozitës duke thënë që kësaj të fundes nuk ia mbanë të merren me Vuçiqin.
Gjithashtu ai përmbyllë deklaratën për opozitës duke thënë “E shoh që jeni hallakatur, pak nga qejfi që Albini e ka paksa të vështirë për të formuar qeverinë, e pak nga frika se çfarë do të thotë Grenelli... Jo Trumpi – se atij b*tha s’ia ndien për juve, ashtu siç s'po ia ndien për Zelenskyn”, u shpreh ai.
Postimi i plotë
Hallakama e opozitës!
E shoh që jeni gëzuar ju, që për herë të parë do të uleni në ulëset e Kuvendit, dhe e kuptoj gëzimin tuaj – se ai do t’ju sjellë edhe pak famë, edhe pak para, e mbase edhe njohje me njerëzit e mahallave tuaja, të cilët gati-gati iu patën harruar!
Tani, kur të kaloni çarshinë e Prishtinës, njerëzit do të pëshpëritin: "Shikojeni deputetin!" Mbase edhe unë do t’ju them kur të kaloni pranë librave të mi:
"Bleje një libër, deputet, se të bën mirë për trurin!"
E shoh që jeni hallakatur krejt, ju tre-katër liderët që vetën e quani VIP-a, Komandantë, Gjeneralë – dhe që 25 vjet s’ia lëshoni vendin një djali me diplomë, që është plot dije dhe ka tjetër vizion për Partinë dhe për Kosovën! Nejse, kjo s’më takon mua. Unë veç desha t’ju them atë që po e dëgjoni edhe ju, madje edhe po heshtni – e heshtja është gjysmë aprovimi!
Vuçiqit iu shkyen damarët e grykës duke bërtitur:
"Qeverinë e Kosovës e bën opozita me Listën time (serbe)!"
E juve, sikur po ju pëlqen kjo bërtimë, ndaj keni vënë vija të kuqe: "Nuk bëjmë koalicion me spiunin e Vuçiqit!"
Por Vuçiqit s’po ua mban t’i ktheni përgjigje:
"Jo, Vuçko, jo! Këtu është Kosovë, këtu është Shqipëri, dhe këtu shqiptarët – që janë tamam shqiptarë – s’ia kthejnë kurrizin Albinit për të bërë qeveri me Listën e Zezë serbe!"
E shoh që jeni hallakatur, pak nga qejfi që Albini e ka paksa të vështirë për të formuar qeverinë, e pak nga frika se çfarë do të thotë Grenelli... Jo Trumpi – se atij b*tha s’ia ndien për juve, ashtu siç s'po ia ndien për Zelenskyn!
Albin, lëri këta të shpupurisin e të krrokasin, e ti bëje qeverinë edhe me romë, edhe me ashkalinj, edhe me egjiptianë – se nganjëherë më shqiptarë po më dalin ata, sesa disa "patriotë" që presin urdhëra nga Serbia, se me ndihmën e "vëllezërve" e kanë rrjepur Kosovën që nga viti ‘99!
22.02.2025