​Formimi i qeverisë së re, flet eurodeputeti austriak

Aktuale

​Formimi i qeverisë së re, flet eurodeputeti austriak

Më: 22 shkurt 2025 Në ora: 12:52
Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, vlerëson organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Ai thotë se vendi ynë ka strukturën më të mirë të demokracisë në rajon dhe se është shembull për tërë Ballkanin Perëndimor. Mandl thekson nevojën e formimit të qeverisë së re, derisa kërkon bashkëpunim të partive politike për të ardhmen e vendit. Krahas këtyre, Mandl është optimist se në krye me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas do të ketë lëvizje përpara në dialogun Kosovë-Serbi.

Eurodeputeti austriak për KosovaPress flet edhe për situatën e sigurisë në Kosovë.

Mandl thotë se zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin demokratike. Sipas tij, kjo është një shenjë e mirë për rajonin që Kosova po vazhdon të realizojë zgjedhje demokratike.

Ai është optimist se edhe raporti zyrtar i Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-së, do të jetë pozitiv dhe me rekomandime të mira.

Mandl: Kosova ka strukturën më të mirë të demokracisë në rajon

“Ato ishin zgjedhje shumë demokratike. Është një shenjë shumë e mirë për rajonin dhe për botën që Kosova vazhdon të realizojë zgjedhje demokratike, gjë që vlerësohet shumë. Raporti zyrtar i Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-së, ende nuk është publikuar, por Nathalie, kolegia ime nga Franca që drejtonte misionin, është një kolege shumë e aftë dhe kompetente. Jam i sigurt se do të jetë një raport i mirë me rekomandime të mira dhe një mesazh të qartë, ky është mendim im. Dhe përsëri, Kosova ka strukturën më të mirë të demokracisë në rajon dhe është një shembull për të gjithë rajonin”, thotë Mandl.

Megjithëse tregohet i rezervuar se kush do të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës, Mandl thotë se bashkëpunimi i ndërsjellë i partive politike duhet të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Mandl: Bashkëpunimi i partive politike dhe çdo deputeti të zgjedhur do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit

“Mendoj se çdo deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës duhet të punojë me njëri-tjetrin. Bashkëpunimi i ndërsjellë i partive politike dhe çdo deputeti i zgjedhur do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Unë kurrë nuk kam marrë pjesë në politikën e brendshme në Kosovë, nuk do ta bëj as tani. Mund të rekomandoj vetëm të punoni së bashku, është detyrimi më i madh i vendit dhe i të ardhmes së tij”, thekson Mandl.

Sa i përket të ardhmes së dialogut Kosovë-Serbi, Mandl thotë se është optimist se në krye me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ky proces do të merr rrugën e duhur.

Mandl: Në krye me Kaja Kallas jam optimist se dialogu do të ketë sukses

“Jam mjaft optimist kur bëhet fjalë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, sepse tani janë njerëz të rinj në krye. Këta tani janë njerëz që vijnë nga vende që nuk janë ndër pakicën e vogël të anëtarëve të BE-së, shtete të cilët ende nuk janë të njohura. Këta janë njerëz që nuk vijnë nga vende shumë të mëdha, përkundrazi, nga vende të vogla dhe të mesme, që e dinë se si është të ecësh përpara si një vend i vogël ose i mesëm. Mendoj se gjithashtu, për shkak të komisioneres së re për punët e jashtme, përfaqësueses së lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, ky dialog do të jetë më i mirë”, thekson Mandl.

Duke folur për raportet e Kosovës me aleatë, ai thekson nevojën e forcimit të lidhjeve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mandl: Kosova duhet të forcojë lidhjet me BE-në dhe ShBA-në

“Mendoj se është e rëndësishme për çdo vend, veçanërisht për vendet e vogla ose të mesme, si vendi im, Austria, të forcojnë lidhjet me organizatat ndërkombëtare dhe me partnerët në mbarë botën, me BE-në dhe në rastin e Kosovës, me SHBA-në. Forcimi i këtyre lidhjeve do të jetë një detyrim për çdo përfaqësues në Kuvendin e Kosovës”, deklaron ai.

Në anën tjetër, eurodeputeti austriak, thotë se kudo në botë kërcënimet ndaj sigurisë janë në rritje dhe se Kosova nuk është imune ndaj kësaj situate.

Sipas tij, duhet të shmanget çdo provokim dhe të sanksionohet çdo lloj sulmi apo përpjekje për sulm që vjen nga grupet terroriste në Kosovë.

Mandl: Duhet të shmangen çdo provokim në Kosovë dhe të dënohet çfarëdo lloj përpjekje për sulm

“Të gjithë jetojmë në kohë të vështira kur bëhet fjalë për sigurinë. Kudo në botë kërcënimet ndaj sigurisë janë në rritje, kërcënime hibride, fizike, terroriste, si dhe kërcënime lufte të llojeve të ndryshme. Pra, duhet të shmangim çdo gjë që mund të jetë provokim dhe duhet të sanksionojmë çdo lloj sulmi ose edhe përpjekje sulmi apo kërcënimi që vjen nga grupet terroriste, të cilat kanë qenë të pranishme në Kosovë gjatë viteve të fundit dhe madje edhe në muajin e kaluar. Do të jetë e rëndësishme të sanksionojmë çdo individ dhe të ecim përpara sa më paqësisht të jetë e mundur”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat