Publicisti dhe analisti Binak Maxharraj ka kritikuar ashpër udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar partinë të bllokuar nga “klani i Isa Mustafës”.
Sipas Maxharrajt, LDK-ja nuk mund të dalë nga kriza pa u çliruar nga ky klan, i cili sipas tij ka marrë kontrollin e partisë dhe po e drejton drejt rënies së vazhdueshme në zgjedhje.
“LDK-ja moti është ngërthyer nga klani i Isa Mustafës. LDK-ja nuk do e shohë dritën e diellit përderisa nuk çlirohet nga klani i Isa Mustafës,” shkruan Maxharraj.
Ai thekson se Isa Mustafa “e rrëmbeu me dhunë” LDK-në, duke mos pasur si synim përparimin e saj, por copëtimin dhe shkatërrimin e saj. Sipas tij, kjo qasje ka bërë që LDK-ja të mbetet vazhdimisht në vendin e tretë në zgjedhje.
“E treta edhe tash kur po e udhëheq servili i Isa Mustafës, Lumir Abdixhiku,” shprehet ai, duke nënkuptuar se nën drejtimin aktual, partia nuk ka shenja të rikuperimit.
Maxharraj ironizon se LDK-ja tashmë është kthyer në një parti që luan vetëm për të ruajtur vendin e tretë, duke lënë të kuptohet se nuk ka ambicie për të rimarrë lidershipin në skenën politike të Kosovës.
