​A është e mundur të ketë sërish luftë në Kosovë?

Aktuale

​A është e mundur të ketë sërish luftë në Kosovë?

Më: 22 shkurt 2025 Në ora: 14:14
Veriu

Kohët e fundit ka shumë deklarime se Kosova është në një rrezik për luftë dhe se duhet të përgatitet për një konflikt të mundshëm ushtarak. Përveç kësaj, krahas Republikës së Moldavisë, Kosova po krahasohet si shteti i dytë më i rrezikuar në Evropë për sulm.

Historiani i njohur zviceran, Oliver Jens Schmit ditë më parë ka thënë se Kosova duhet të bëjë përgatitje serioze për një konflikt të mundshëm ushtarak. Sipas tij, qeveria serbe, është nën një presion të madh dhe mund të përpiqet të organizojë një konflikt me Kosovës. Ai ka tërhequr vërejtjen se Serbia është riarmatosur masivisht viteve të fundit.

E sipas ekspertëve të sigurisë dhe historianëve, institucionet e sigurisë, duhet të kenë vëmendjen e shtuar sa i përket çfarëdo kërcënimi që mund të vije nga Serbia dhe të bashkëpunojnë edhe me aleatët, e institucionet ndërkombëtare që janë në vend, si KFOR-i.

Sipas tyre, sfidat janë shumë serioze e kërcënuese për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, për KosovaPress, ka përjashtuar një mundësi rikthimi të luftës, për aq kohë sa është Kosova brenda orbitës së NATO-s.

Fetoshi: Për aq kohë sa ne jemi brenda orbitës së NATO-s, përjashtoj një mundësi rikthimit të luftës

“Për aq kohë sa ne jemi brenda orbitës së NATO-s, unë e përjashtoj një mundësi rikthimit të tmerreve të luftës... Gjithnjë, duhet të gjitha institucionet e sigurisë të kenë vëmendjen e shtuar sa i përket çfarëdo kërcënimi që mund të na vijnë, potencialisht nga Serbia, e cila gjithmonë ka qenë e interesuar që ta destabilizojë Kosovën, e interesuar që nëpërmjet organizatave proksi, nëpërmjet luftës hibride kundër Kosovës, sulmeve, siç i kemi pa viteve të fundit në veri të Kosovës, të mbajnë lartë tensionet ndëretnike, jostabile Kosovën, me qëllim që eventualisht ta qoj Kosovën drejt dështimit si shtet”, ka thënë Fetoshi.

Sipas tij, asnjëherë nuk duhet që institucionet e sigurisë, të jenë komod dhe të ndihen të lirë, duke konkloduar se situata është e qetë dhe nuk ka sfida të sigurisë, pasi që këto sfida janë tejet serioze.

Fetoshi ka thënë se afrimi i trupave të ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, ka qenë një paralajmërim kërcënues, të cilës, duhet t’i përgjigjen jo vetëm me përgatitje të lartë, por edhe me koordinim të plotë me partnerët strategjik.

Fetoshi: Nuk guxojmë në asnjë mënyrë të jemi komod dhe të çlirohemi

“Afrimi i trupave të ushtrisë në kufirin me Kosovën, ka qenë paralajmërim kërcënues dhe një varg aktivitetesh kërcënuese, të cilave duhet tu përgjigjemi, jo vetëm me përgatitje të lartë, jo vetëm me vigjilencë të shtuar, por edhe me një koordinim të plotë e të ngjeshur me partnerët tanë strategjik, me institucionet ndërkombëtare këtu siç është KFOR-i...Nuk guxojmë në asnjë mënyrë që të jemi komod dhe të çlirohemi në njëfarë mënyre duke konkluduar që situatën e kemi të qetë dhe nuk kemi sfida të sigurisë. Sfidat janë serioze, janë kërcënim permanent për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë”, është shprehur ai.

Ndërsa, historiani Mentor Hasani ka thënë për KosovaPress, se kjo është një thirrje, që kujdesi duhet shtuar dhe Kosova të punojë me aleatët, në mënyrë që të eliminojë rreziqet eventuale, çoftë nga Serbia apo ndonjë sulm terrorist që mund ta organizojë.

Hasani: Kjo deklaratë është një thirrje, një mesazh që kujdesi duhet shtuar

“Kjo është jo vetëm një tërheqje vëmendje por edhe një mesazh për senzibilitetin që do ta ketë Kosova. A e ka Kosova, a është Kosova e vetëdijshme për rrezikun që ka nga Serbia, sigurisht që po, mirëpo kjo deklaratë është një thirrje një mesazh që kujdesi duhet shtuar dhe natyrisht që Kosova duhet të punojë ngushtë edhe me aleatët, në mënyrë që të eliminojë çdo rrezik eventual që mund të vije, çoftë nga fqinji veriorë Serbia apo ndonjë sulm terrorist që mund ta organizojë ky shtet”, ka shtuar Hasani.

Sipas tyre, Serbia nëpërmjet organizatave të ndryshme terroriste, nëpërmjet luftës hibride, sulmeve të ndryshme në veri të vendit, duke mbajtur lartë tensionet ndëretnike, ka qëllim ta dërgojë Kosovën drejt dështimit si shtet.

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, komunë kjo në veri të Kosovës, duke dëmtuar kështu kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima në njerëz. Ky kanal uji që rrjedh nga liqeni i Ujmanit, cilësohet aset kritik për Kosovën. Nga ky kanal uji varet shumë operimi i termocentraleve elektroenergjtike të Kosovës, furnizimi me ujë të pijshëm i një pjese të madhe të Kosovës, përfshirë edhe një pjesë të kryeqytetit Prishtinë.

Para shpërthimit në kanalin Ibër Lepenc, ka pasur sulme me granata dore në veri të Kosovës edhe dy ditë më parë. Një granatë u hodh në objektin komunal të Komunës së Zveҫanit dhe njëra në një stacion policie, ka njoftuar policia e Kosovës. Pasoja në njerëz nuk ka pasur pos dëmeve materiale në objektin e komunës dhe disa automjeteve të parkuara aty pranë. Autorët akoma nuk dihen.

Komuna e Zveçanit dhe tri komunat e tjera në veri, ajo e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, që nga prilli i vitit 2023 udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët bojkotuan në shkallë të gjerë pjesëmarrjen në zgjedhje lokale. Kryetarët shqiptarë nuk pranohen nga shumica e qytetarëve që janë të përkatësisë etnike serbe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat