Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka marrë 40.90 % të votave, duke siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, megjithatë, LVV do të ketë vetëm 40 deputetë, me mundësi që ky numër edhe të zvogëlohet. Kjo pasi Partia Guxo do të ketë gjashtë deputetë dhe Alternativa një deputet.
Nga Partia Guxo presin që pas formimit të qeverisë, t’i vije radha edhe dy deputetëve të kësaj partie, ndërsa në Alternativë, Mimoza Kusarit ka mundësi t’i bashkohet edhe Lendrit Ilazi dhe Burim Demiri.
Edhe pse për formimin e qeverisë së re, partia fituese e zgjedhjeve duket të dëshmojë se i ka së paku 61 deputetë, deputet të Listës Guxo nuk përjashtojnë mundësinë se mund t’i kenë pa koalicione votat për formimin e Qeverisë. Megjithatë, thonë se lidhur me koalicionet e mundshme, mund të ketë bisedime më vonë.
Edhe pse ka zëra që Partia Guxo i ka vënë kusht Lëvizjes Vetëvendosje, që koalicioni të jetë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, deputeti i nga Partia Guxo, Haxhi Avdyli nuk ka dashur ta komentojë.
Ai i ka thënë KosovaPress-it se momentalisht po presin edhe numrimin e votave të diasporës dhe atyre me kusht. Sipas tij, ata janë afër mundësisë për ta formuar edhe pa koalicione qeverinë e re, megjithatë, shtoi se për cështjen e koalicioneve do të ketë bisedime në fazën e mëvonshme.
Avdyli ka shtuar se me formimin e Qeverisë, Partisë Guxo, pritet t’i bashkohen edhe dy deputetë, që janë Lendrit Iljazi dhe Burim Demiri.
Avdyli: Jemi shumë afër mundësisë së formimit të qeverisë edhe vet
“Normalisht që po presim rezultatet përfundimtare, po presim votat e diasporës, me kusht dhe do të shikojmë ku jemi dhe ku qëndrojmë. Jemi shumë afër që ne me pas mundësinë e formimit të qeverisë edhe vet. Për punën e koalicioneve, për krijimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, do të bisedohet në fazat e mëvonshme. Një e dimë që Kosova ka me pas institucionet e veta, stabile dhe do të ecim përpara. Për çështjet e koalicioneve janë njerëzit kompetentë, është kryeministri Kurti, njerëzit e partive politike, të cilët do të vazhdojnë edhe bisedat”, thotë Avdyli.
Deputetja nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila thotë se ende nuk ka diçka zyrtare sa i përket ndonjë koalicioni të mundshëm me opozitë.
Kusari-Lila: Ende nuk ka asgjë zyrtare
"Ende nuk ka asgjë zyrtare për këtë punë, pa u konfrimuar mandatet, asgjë nuk mund të them në ketë temë... Nuk është çështje preferencash...Është Agon Donruana, aktualisht me votat që janë", thotë Kusari-Lila.
Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje më i votuari është kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti. Sipas të dhënave të KQZ-së, Kurti deri më tani ka grumbulluar 290 mijë e 729 vota.
Numri i dy në listën e LVV-së, Glauk Konjufca ka marrë 223 mijë e 499 vota. Ndërsa i treti me më së shumti vota është, Faton Peci me 108 mijë e 831 vota. Hekuran Murati radhitet i katërti me 106 mijë e 120 vota. Derisa 101 mijë e 553 vota, ka siguruar Albulena Haxhiu.
I gjashti me radhë deri më tani, sipas të dhënave të KQZ-së, është Xhelal Sveçla me 97 mijë e 75. Më pas Donika Gërvalla-Schëarz me 90 mijë e 824 vota. Derisa i teti me vota është Avni Dehari, me gjithsej 77 mijë e 831 vota. Mimoza Kusari-Lila ka marrë deri më tani 70 mijë e 15 vota. Ndërsa, në dhjetëshen e parë me më së shumti vota deri me tani është edhe Arben Vitia me 56 mijë e 319 vota.
Kandidatët tjerë që kanë fituar votat për deputet nga kjo parti janë Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci, Hajrulla Çeku, Artane Rizvanolli, Adelina Grainca, Armend Muja, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Arbër Rexhaj, Dimal Basha, Valon Hoti, Halil Thaçi, Valon Ramadani, Liza Gashi, Arbërie Nagavci, Fjolla Ujkani, Labinotë Demi-Murtezi, Fitore Pacolli-Daipi, Fitim Haziri, Artan Abrashi, Driton Hyseni, Drita Pajaziti, Agim Bahtiri, Salih Zyba, Adriana Matoshi, Bajram Mavriqi, Ilir Kërçeli, Arjeta Fejza, Bylbyl Sokoli, Fatmire Kollçaku, Arjeta Fejza
Ndërsa, Partia Guxo ka gjashtë ulëse. Pjesë e tyre pritet të jenë, Faton Peci, Donika Gërvalla- Shchëarz, Jeta Statovci, Albena Reshitaj, Haxhi Avdyli, Nezir Kraki, i shtati pritet të hyjë në fazën e mëvonshme, Lendrit Ilazi dhe Burim Demiri.
Derisa Alternativa ka vetëm një, Mimoza Kusari-Lila.
Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votuan për përfaqësuesit e tyre të ardhshëm për katër vite.
Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60 %.
Sipas rezultateve të KQZ për vendvotime, përbërja e Kuvendit të ardhshëm për 100 ulëset e shumicës do të duket kështu: Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa me 47 deputetë, PDK me 25 deputetë, LDK do të ketë 20 deputetë, ndërsa, AAK-NISMA, 8 deputetë.
Përndryshe, mbetet për t’u numëruar edhe votat e diasporës, ato me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.