Avokati dhe publicisti Spartak Ngjela ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për një ndikim të supozuar mbi gazetën prestigjioze "The New York Times". Në një postim në rrjetet sociale, Ngjela e ka cilësuar këtë sulm si një turp historik dhe kombëtar, duke theksuar se Berisha ka shpifur kundër një prej mediave më të rëndësishme botërore.
Sipas Ngjelës, pretendimi i Berishës se Edi Rama ka blerë “New York Times” për të sulmuar atë është një gënjeshtër e rëndë, e cila jo vetëm që fyen popullin shqiptar, por edhe dëmton imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Një ish-president dhe një ish-kryeministër i Shqipërisë ka fyer rëndë vetë popullin shqiptar, duke thënë një të pavërtetë për gazetën ‘New York Times’,” shkruan Ngjela, duke shtuar se një sulm i tillë ndaj së vërtetës dhe medias së lirë është një turp historik.
Ai nënvizon se “New York Times” është një institucion me një histori të gjatë në mbrojtje të së vërtetës dhe se vlera e saj në skenën ndërkombëtare është e padiskutueshme.
Ngjela: Sali Berisha, “non grata” në SHBA, nuk mund ta dëmtojë imazhin e Shqipërisë
Në analizën e tij, Spartak Ngjela thekson se Berisha ka fyer rëndë opinionin publik amerikan me shpifjet e tij, duke tentuar të delegjitimojë një nga gazetat më me ndikim në botë.
“E vërteta nuk mund të fshihet me gënjeshtra fëmijnore. Berisha ka fyer rëndë opinionin publik amerikan, duke shpifur kundër ‘New York Times’,” shton ai.
Në përfundim, Ngjela nënvizon se statusi “non grata” i Berishës në SHBA ka dëmtuar vetëm atë personalisht, por nuk mund ta dëmtojë imazhin historik të Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara.