Halil Geci ka vazhduar me disa shkrime në lidhje me humbjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në zgjedhjet e fundit parlamentare të Kosovës.
Ai në postimin e tij në Facebook, theksoi dy arsyet kryesore që ndikuan në rënien drastike të LDK-së, ku një prej tyre ishte edhe “lidhja e Lumir Abdixhikut me Edi Ramën”.
Geci kritikoi ashpër afërsinë e Abdixhikut me Ramën, duke thënë se “Injorimi i filozofisë rugoviane dhe heqja dorë nga statusi historik i LDK-së nuk prodhoi fitoren e shpresuar, por një disfatë të rëndë”, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Lidhja e kumbarisë me dreqin – djalin e Delisë alias Abdixhiku me Edi Ramën
Tradhtia politike ndaj rugovizmit dhe lidhja e Lumir Abdixhikut me Edi Ramën janë ndër arsyet kryesore të zhgënjimit të elektoratit rugovist, duke çuar në rënien drastike të LDK-së.
Një shkelje e parimeve rugoviste
Lidhja e Kumbarisë me Dreqin – djalin e Delisë alias Abdixhikun me Edi Ramën – ishte një nga faktorët që ndikuan në humbjen e LDK-së.
Kjo u bë edhe më e qartë kur Lumir Abdixhiku ftoi Edi Ramën në një aktivitet të partisë së tij me emrin “Rruga e Re”, për t’i treguar kundërshtarëve të Ibrahim Rugovës se tashmë ai ishte lideri i ri. Madje, në të njëjtën ditë, ai hoqi edhe fotografinë e Ibrahim Rugovës, një akt simbolik që përçoi mesazhin se LDK-ja kishte marrë një drejtim tjetër.
Edi Rama ka qenë dhe mbetet kundërshtari më i madh dhe injoruesi më i paskrupullt i trashëgimisë politike të Ibrahim Rugovës, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Tallja e tij me Rugovën, duke thënë se “edhe në det lahet me shall”, nuk ishte thjesht një injorim apo nënçmim, por një shfaqje e urrejtjes së thellë ndaj liderit historik të Kosovës.
Largimi nga trashëgimia e Rugovës dhe dështimi politik
Lumir Abdixhiku, duke bërë aleancë me Ramën dhe duke përfshirë në LDK, individë pa trohen e kontributit për frymën rugoviane, i tregoi botës se nga ai moment LDK-ja nuk kishte më Ibrahim Rugovën si orientim politik.
Ai ftoi kundërshtarët më të mëdhenj të Rugovës dhe e shpalli një rrugë të re për partinë, duke anashkaluar filozofinë rugoviste dhe duke i dhënë partisë një drejtim të pasigurt.
Lumiri mendoi se me mbështetjen e grupimeve të vogla dhe individëve që fituan disa vota, do të arrinte ta transformonte LDK-në. Por, kjo përpjekje ishte e dështuar qysh në fillim, ashtu si një tupanxhi që mendon se do të tërheqë turmat vetëm duke rrahur tupanin (daullen) gjatë Ramazanit.
Injorimi i filozofisë rugoviane dhe heqja dorë nga statusi historik i LDK-së nuk prodhoi fitoren e shpresuar, por një disfatë të rëndë.