Njëzet e katër subjekte, koalicione, apo kandidatë të pavarur, që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, nuk e kaluan pragun zgjedhor prej 5 për qind.
Në mesin e tyre janë katër që përfaqësojnë komunitetin shumicë shqiptarë dhe në total - sipas rezultateve preliminare - numërojnë gati 21 mijë vota, apo 2 për qind. Por, çka ndodh me këto vota?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon rezultatet e tyre por votat nuk shpërndahen apo nuk i shkojnë ndonjë partie tjetër që ka marrë më shumë se 5 për qind.
Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës ndahen në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme që i ka fituar secili subjekt politik, ndër të tjera, në mesin e subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin shumicë të cilat kanë fituar së paku pesë për qind nga numri i përgjithshëm i votave të vlefshme në zgjedhjet për Kuvend dhe subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë.
Në Kuvendin e Kosovës, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet jo shumicë - 10 për serbët dhe të tjerat për pakicat jo serbe.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë për KosovaPress se ky institucion i certifikon rezultatet e secilit subjekt politik apo kandidatë që ka marr pjesë në zgjedhje, edhe kur nuk e kalojnë pragun, derisa shton se ligji përcakton se në ndarjen e mandatave për Kuvendin e Kosovës përfshihen vetëm subjektet politike të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikon rezultatet për secilin subjekt politik dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Pra, KQZ certifikon rezultatet e subjekteve politike, ku përfshihet numri dhe përqindja e votave të fituara edhe në rastin kur ato nuk e kalojnë pragun e paraparë prej 5%. Sipas ligjit, në ndarjen e mandatave për Kuvendin e Kosovës përfshihen vetëm subjektet politike të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor”, thotë Elezi.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se votat e subjekteve politike që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor nuk kanë asnjë rëndësi në përcaktimin e ulëseve të reja në Kuvend.
“Votat e subjekteve që nuk e kanë kaluar pragun nuk shpërndahen tek subjektet tjera që kanë hyrë në Parlamentin e Kosovës sepse në momentin kur ti e kalon pragun prej 5%, me automatizëm ty të ndahet formula e ndarjes në parlament. Dikush i ka 5.5%, i merr 7 ulëse, dikush 25% i merr ndoshta 30 deputetë. Kjo ndarja e 100 vendeve bëhet për subjektet që e kanë kaluar pragun zgjedhor, jo për ato që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor”, thotë ai.
Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu kujton se më herët ishte praktikë që votat e subjekteve politike që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5% të shpërndahen te partitë që kanë arritur të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Ato që nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor, partitë pra, apo kandidatët e pavarur ose subjektet politike….me ligjin paraprak para këtij plotësim-ndryshimi janë rivendosur dhe janë dhënë dhuratë sipas sistemit të rotacionit prej partisë më të madhe, të dytës, të tretës partive politike që kanë marr mandate. Por është deklaruar se tani më ato vota nuk mund të llogariten”, thotë Baraliu.
Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%.