Klina ka qenë arenë e një ngjarje tjetër kriminale. Katër persona nga familja Bullaku janë plagosur mbrëmë në qendër të Klinës në një konflikt me anëtarë të familjes Hoti.
Të dy palët janë nga fshati Jashanicë e Klinës. Media ka qenë sot tek dy familjet e përfshira në rast të cilat kanë dhënë versione të ndryshme.
Familja Bullaku që ka katër të plagosur nga ky rast thotë se rasti ka të bëjë me një konflikt të ulët që ndodhi para 7 viteve. “Para 7 vjetëve e kemi pasur atë problem me lopën. Djali im, pa dashje, në rrugë i ka dalë para kerrit dhe e ka goditur. Pasi ndodhi kjo, ata deshën të ma vrisnin djalin. U pajtuam dhe mendoja se gjithçka ishte mbyllur, por sot kam mundur të kisha 4 viktima në shtëpi. Lopën ua kemi dhënë, e kanë ngrënë. Unë i kam rritur me mundime dhe varfëri, por ata mund të m’i linin 6 jetimë. Familja e tyre ka pasur gjithmonë probleme”, ka deklaruar Hasibe Bullaku për indeksonline.
Familja Hoti nuk ka pranuar të prononcohet për rastin. Por një anëtare e familjes ka thënë në kushte anonimiteti se kanë vetëm pak informacione për rastin.
“Deri tani nuk dimë shumë. E dimë që ka ndodhë tap-rrap. Djemt janë në polici dhe s’kemi biseduar ende me ta. S’kemi pas mosmarrëveshje as kurgjo të keqe me ta” ka thënë një anëtare e familjes Hoti.