Pas një sëmundje, të hënën është ndarë nga jeta Bajram Qerkini, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve” në Mitrovicës dhe Qendrës Burimore për Personat e Pagjetur në Prishtinë. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët të hënën pranuarn telegrame ngushëllime nga presidentja e shtetit, krerët e partive politike në vend si dhe nga misionet e huaja në Kosovë.
Fotografinë e djalit e mbante pranë zemrës.
Por, të rralla ishin rastet kur Bajram Qerkini, fliste për djalin e zhdukur në luftë.
“E ka lënë djali një fjalë tek nana e vet, i ka thënë unë po shkoj me vazhdu rrugën e gjyshit, Sadik Zenelit. Nuk kam dashur askujt më i bë gjë, vetëm e kam marrë një fotografi e kam shti në kuletë. 1:15 Ai ka dalë në ora 02:00 të natës, për më shkua të Hasan Preteni, posa e themeluar një brigadë atëherë”, kishte deklaruar Bajram Qerkini – ish-drejtor në Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur.
Se çfarë ndodhi me fatin e Reshat Qerkinit, babai nuk e mësoi asnjëherë.
Kjo meqë të hënën familjarët njoftuan se pas një sëmundje, ish-drejtori i Qendrës Burimore për Personat e Pagjetur, Bajram Qerkini ka ndërruar jetë.
Më fjalët më të mëdha për punën e tij në çështjen e të pagjeturve, po e kujtojnë bashkëpunëtorët.
“Për ne që e njihnim më afër në kuadër të bashkëpunimit, krahas që do të mbetet si një nga bashkëpunëtorët më të çmuar në këtë proces, gjithmonë do të mbetet edhe shembull i aktivistit, familjarit, njeriut dhe sinonimit i përkushtimit, durimit dhe forcës shpirtërore”, ka deklaruar Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për persona të pagjetur.
Por, cili ishte angazhimi i Bajram Qerkinit, në 26 vjetet e pasluftës?
“Ishte një dhimbje që fliste shumë rrallë për të, meqë si gjithë bashkëpunëtoret, e quanim si një zë i fuqishëm i të gjitha familjeve të personave të zhdukura. Mos të harrojmë që baca Bajram ka qenë një nga themeluesit e udhëheqësit e shoqatës “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, pastaj për një kohë e ka udhëheq edhe Këshillin Koordinues si bashkim i më shumë se 20 shoqatave të familjeve të personave të zhdukur nga e gjithë Kosova, dhe së fundmi edhe drejtor i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur”.
Ngushëllime familjarëve për vdekjen e Qerkinit, të hënën iu ka shprehur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kjo tha se Kosova humbi një zë të fuqishëm të kauzës për drejtësi.
Përveç Osmanit, ngushëllimet e tyre i kanë shprehur edhe krerët e partive politike në vend, si dhe nga misioni i EULEX-it në Kosovë.
Ndryshe, Varrimi i ish-kryetarit të shoqatës “Zëri i Prindërve”, do të bëhet të martën në orën 12:00, në varrezat e qytetit në Shipol të Mitrovicës.