“Hiqma këtë dokument, s’mund ta shoh”, Tara nervozohet sërish në seancë, mohon të ketë thënë se UÇK-ja...

Aktuale

“Hiqma këtë dokument, s’mund ta shoh”, Tara nervozohet sërish në seancë, mohon të ketë thënë se UÇK-ja...

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 06:50 Përditësuar në ora: 15:49 më 25.02.2025
Dëshmitari Ismet Tara

Tara: Po na bastisin dhe marrin sikur Serbia atëherë, vetëm se nuk po vritemi dhe persekutohemi

Dëshmitari Ismet Tara tha se nuk e pranon intervistën e pretenduar që ai e ka dhënë për UNMIK-un. Ai tha se si Kosovë nuk vendos pushteti, por që KFOR-i mund t’i fus në burg, të bastisë shtëpinë dhe t’i marrë sikur Serbia që ka vepruar përpara.

Ai tha se ende jemi nën kontrollin e KFOR-it dhe UNMIK-ut e që vetëm se nuk po vriten dhe persekutohen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në Kosovën time kanë ndodhur gjithçka sepse në Kosovën time nuk vendos ende as pushteti jonë e as askush. Ende mund të bëhet me neve dhe KFOR-i mund të na shti burg, mund të na bëjë gjithçka UNMIK-u, EULEX-i mund të na bastisë shtëpinë, mund të na marrë sikur Serbia që na ka marrë atëherë edhe kështu po veprohet edhe sot me neve edhe pse shtet i pavarur. Ende jemi në kontrollin e KFOR-it edhe UNMIK-ut, sot e kësaj dite dhe vetëm se nuk po vritemi, nuk po persekutohemi”, tha dëshmitari derisa fjala e tij u ndërpre nga trupi gjykues.

Përpara kësaj, dëshmitari Tara tha se e ka ngritur si çështje edhe me prokuroren Vega Iodice se ai nuk e pranon fare dokumentin e UNMIK-ut.

“Prokurores në fjalë i kam thënë që ky dokument nuk është i njohur fare për mua. Unë nuk kam bërë kurrfarë takimi me atë Ana Vanozin. Ky është një përshkrim i saj sipas dëshirës së saj. Nuk e di a ka qenë edhe e UNMIK-ut se mund të jetë kjo që edhe UNMIK-u të ketë pashkruar ushtrinë tonë si ka pas dëshirë ai. Tash do të fillojë të dyshojë se këto përshkrime sikur që kanë ndodhur në seancën time 32 orëshe që kanë bërë intervistuesit, përshkrimin tim edhe këtu e paska përshkru UNMIK-u në atë kohë sipas dëshirës tij dhe pa na njoftu neve dhe pa na taku neve.

Mbrojtja e Selimit dhe e Thaçit nuk pati pyetje për dëshmitarin për të vazhduar me pyetje shtesë prokurorja Vega Iodice.

“Kur ma dorëzon dokumentin që kërkova, unë do përgjigjem”, tha Tara.

Prokurorja ia rikujtoi se ai ka deklaruar se do i përgjigjet pyetjeve të saj dhe dëshmitari vazhdoi me përgjigje.

Edhe duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, dëshmitari mohoi se e ka takuar Ana Vanozin.

“Kush janë këta kriminela”, Tara thotë se kur e ka pa dokumentin kishte bërtitur dhe qarë

 Ismet Tara në Hagë në fjalën e tij ku shpalosi shqetësimin për dokumentin që sa ditë e kërkoi. Ai shpjegoi edhe gjendjen se si kishte kuptuar për këtë dokument.

Ai tha se paraqitja e tij e parë në Hagë është bërë më 14 shkurt 2025, por në seancën përgatitore të 19 shkurtit e kishte parë për herë të parë dokumentin e që si reagim ndaj tij kishte qarë, bërtitur dhe i kishte quajtur kriminela intervistuesit e tij me 2019, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Me datën 19.02.2025 të mërkurën e kemi vazhduar prap deri dikund në mesditë pa problem, deri afër orës 12:OO në mesdite kur prokurorja ime ma paraqiti një dokument të vitit 2019 të intervistimit tim nga ekipi im intervistues të atëhershëm. Kur fillova ta lexoj më kaploi dridhje e trupit dhe frikë se çka lexoja e mendoja të bërtas ‘çfarë janë këta njerëz, çfarë na përgatitën neve, kush janë këta kriminela’ deri sa më qetësoi prokurorja e me tha se këto janë fjalë të tyre, e jo të tua dhe këtu nuk mund të lexoja kur pash se  dokumenti ishte nënshkruar nga ekipi i intervistuesve të mi e s’munda të lexoja më e leximin e fletës tjetër në shqip e beri përkthyesja ime”, tha ai.

Ai tha se përkthyesen e dëgjoi duke qarë dhe ndryshoi mendim për intervistuesit e tij, gjyqtarët e prokuroret duke menduar se janë armiqtë e tij, UÇK-së  e popullit të Kosovës.

“Unë duke qarë dhe dëgjoja, e ndryshova komplet mendimin tim për intervistuesit e mi, gjykatës e prokurorë se janë armiqtë e mi, të UÇK-së pavarësisë së Kosovës dhe popullit tim.

Pastaj, një kohë të gjatë kërkova sqarime prokurores duke kërkuar e sharë intervistuesit e mi si kanë guxuar të më rrezikojnë mua, familjen time, të më bëjnë tradhtarë të luftës time, të heronjve e dëshmorëve të kombit e UÇK-së dhe të martirëve të vrarë dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së”, tha ai.

Tara tha se pas kësaj i dhanë pushim për 3-4 orë dhe pas këtij pushimi i kujtohet se e kanë ftuar edhe njëherë por që kanë vazhduar prap.

“Me hyri frika se çfarë do të ndodhë me mua dhe familjen time se këto shënime janë dhënë ose do të jepen para se ë njoftohet i tërë populli se këto shënimi janë të armiqve të mi, të popullit, të UÇK-së dhe luftës së shenjtë”, tha tutje ai.

Ai tha se ka kërkuar me datë 19 shkurt 2025 që të i jepet një kopje e këtij dokumenti ose numër regjistri, gjë e cila nuk ishte aprovuar me arsyetimin që ZPS-ja do ta ketë në sallë.

“Mu shtua frika edhe më shumë se pse nuk mu dha dokumenti. Nga ai dokument me kujtohen vetëm të zezat që janë përshkruar për mua si tradhtar  i kombit tim dhe të njëjtën kohë edhe si armik i Serbisë. Kështu përfundoi përgatitja ime me prokuroren pa u shqyrtuar edhe shumë faqe të tjera të intervistës të mija të vitit 2019”, tha ai.

Ai shtoi se do kishte qenë fat që ky dokument të nxjerrët dhe të publikohet.

Vlen të theksohet se gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u mor në pyetje edhe nga trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Barthe për të cilin Tara shpjegoi versionin e tij lidhur me familjen Dediq.

Prokuroria s’pati pyetje shtesë dhe as prokuroria kështu që kjo shënoi përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit në Hagë.

Si rrjedhojë, janë anuluar seancat e 26 dhe 27 shkurtit në këtë rast për të rifilluar serish më 17 mars nga ora 09:00.

“Hiqma dokumentin, s’mund ta shoh më”, Tara mohon të ketë thënë që UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët dhe të burgosurit

Ismet Tara mohoi të ketë deklaruar për UNMIK-un se UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët dhe të burgosurit e tyre.

Madje, Tara u nervozua në Hagë duke i kërkuar avokatit të Veselit, Rodney Dixon që t’ia largojë dokumentin me arsyetimin se nuk mund ta shoh, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ismet Tara nuk ka asnjë dëshmi që dikush është vrarë… nuk i ka ndodhur Ismet Tarës që të japë dëshmi të rreme atëherë. Hiqma këtë dokument se nuk mund ta shoh më, nuk mund ta shoh më. Ti mund të bësh pyetje sa dush, por kur i dedikohesh këtij dokumenti… unë po them që as nuk i kam dhënë as nuk e kam takuar. Ti prap ‘a mund të jetë ajo e saktë, a mund të mos jetë’. Por duhet të vijë ajo ta pyesh atë a ka qenë e saktë a jo”, tha Tara.

Fillimisht, nga avokati i Veselit, Rodney Dixon dëshmitari u pyet se a ka marrë ndonjëherë urdhër nga nivelet më të larta, siç janë zonat dhe Shtabi i Përgjithshëm për të arrestuar dhe vrarë kolaboracionist.

“Kurrë, asnjëherë”, tha Tara.

Ai mohoi se i ka thënë UNMIK-ut se UÇK-ja i ka rrëmbyer kolaboracionistët, i ka vrarë në vend ose ndonjëherë ua ka djegur trupat dhe i ka lënë që të ua hanë egërsirat.

“Jo që kam thënë, por as që jam pyetur”, tha ai.

Gjithashtu, mohoi se ka thënë që UÇK-ja i ka vrarë të gjithë të burgosurit që kishte ndaluar.

“As që i ka vrarë të gjithë, e as që i ka vrarë asnjërin, unë se di”, tha ai.

Dëshmitari përsëriti edhe njëherë që nuk është takuar me Ana Vanozin (nga UNMIK) për të dhënë dëshmi dhe se një dëshmi të tillë nuk e ka dhënë ndonjëherë.

Me kaq mbaruan pyetjet e Dixon për dëshmitarin, për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokatit Aiden Ellis.

Ai sërish theksoi se nuk është takuar me Ana Vanozin për të diskutuar për gjërat që u përmendën më lartë.

“Në qoftëse ajo më njeh mua, unë nk e njoh. Kurrë nuk e kam parë”, tha Tara.

Tara: Në UÇK gjithkush e ka përgjegjësinë për veprimet e veta

Dëshmitari Ismet Tara tha se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjithkush e ka përgjegjësinë për vete dhe se komandantët nuk kanë përgjegjësi mbi veprimet e ushtarëve dhe as anasjelltas.

“Përgjegjësi në UÇK çdo kush përgjigjet për veten e vet çka ka bërë ose në qoftë se e dëshmon me një urdhër të dikujt që e ka urdhëruar ose që dëshmon krejt komplet saktë që ai ka marrë urdhër. Përndyrshe s’ka përgjegjësi te UÇK-ja as komandanti për ushtarë e as ushtarët për komandant”, tha Tara duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon.

Ai tha se askush nuk mund të jetë përgjegjës për atë që ka mundur të ndodhë në ndonjërin prej shtabeve, përveç shtabeve përkatëse, raporton “Betim për Drejtësi“.

“Gjatë Shtabit ‘Arti’ të Rahovecit, unë nuk jam njoftuar që Shtabi “Arti” i Rahovecit ka marrë ndonjë urdhër prej dikujt pa marrë parasysh prej kujt. Nga asnjë shtab tjetër se a të bëhet kjo ose të mos bëhet kjo, ose të veprohet kështu ose ashtu. Asnjë urdhër zyrtar nuk më kanë treguar komandantët e mi që kanë marrë diçka që duhet bërë diçka. Kemi bërë çdokush si kemi ditur më të mirën për qytetarët e vet dhe tash nuk e di që tjetër shtab të jetë përgjegjës për atë që ka ndodhur në Rahovec ose për atë që ka ndodhur në Krushë ose për atë që ka ndodhur në Drenoc se nuk ka mundur të imponohet në atë kohë derisa unë mas vitit të rifillimit të brigadave askush kurrkujt llogari s’i ka dhënë dhe nuk ka përgjegjësi mbi të tjerët”, tha Tara.

Dëshmitari u pyet se a ka dijeni për zhdukjen e pesë serbëve në Rahovec në qershor-korrik 1999, por një gjë të tillë ai e mohoi.

Më pas, Tara u pyet sa herë ka ndodhur që familjarët e personave të zhdukur të shkojnë të kërkojnë informacion për pjesëtarët e tyre.

“Përveç familjes Dediq që ka kontaktuar 5-6 herë me mua dhe me këtë të UNMIK-ut të cilin në fund e kam detyru që të ma sjellë nënën e tij, Ajshen të ma sjellë në prezencën time, në komandën time dhe pastaj aty i kemi sqaru. Kemi diskutu gjer e gjatë dhe të tjerët nuk ka ardhë kurrkush te unë”, tha ai.

Veç kësaj, dëshmitari tha se ka mundësi që shumica e serbëve kanë shfrytëzuar rrugë tjera për të kërkuar të afërmit e tyre përveç se për të adresuar shqetësimin e tyre te UÇK-ja.

“Unë zoti avokat ndoshta edhe shumica nuk kanë dashur që të vijnë tek ne, tek UÇK-ja. Ndoshta kanë shkuar të japin deklarata në UNMIK- KFOR ose edhe në OSBE se nuk ka qenë bash e lehtë që të vijnë atë”, tha ai.

Dëshmitari Tara mohoi se ka pasur kaos në qershor të 1999-ësm por ai shtoi se ka pasur më shumë popullsi të ardhur sesa që ka pasur kapacitet qyteti t’i përballojë.

Ai tha fjalën ‘kaos’ e kupton kur përshkruhet diçka e rrezikshme dhe jashtë normales, duke përfshirë vrasjet.

Ismet Tara: Dëshmia për UNMIK-un është trillim sikur dokumenti i humbur nga prokurorja

Dëshmitari Ismet Tara deklaroi në Hagë se dokumenti i UNMIK-ut i vitit 2001, i cili pretendohet se përmban deklaratën e tij, është trillim ngjashëm sikurse dokumenti që sipas tij ka humbur nga prokurorja, e të cilin e ka kërkuar nga e hëna në Gjykatë.

Dëshmitarit iu prezantua një dokument i UNMIK-ut i vitit 2001 dhe u pyet se a është e saktë që ka vendosur kryqe në këto tekste gjatë intervistimit të tij më 2019-ën në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi nuk ishte pajtuar me ato, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ky dokument nuk është fare i imi. Unë nuk jam takuar me këtë Ana Vanozin asnjëherë, asnjëherë”, tha Tara.

Ai tha se ky dokument është shkruar nga dikush i panjohur, për të të cilin nuk e ka takuar kurrë e që rrjedhimisht s’e mban as nënshkrimin e dëshmitarit.

“Nuk janë të sakta fare hiç, por unë po tregoj që ky dokument është përshkruar nga dikush i panjohur pa u takuar kurrë me mua sepse përndryshe e kish pas nënshkrimin tim. Unë nuk lëshoj dokumente pa nënshkrim, unë nuk jam Ismet Tara në këtë kohë që ajo të drejtohet te Ismet Tara për këtë problem. Ky është trillim njësoj sikurse dokumenti që ka humbur prokurorja”, tha Tara.

Ky dokument sipas dëshmitarit është përshkruar sipas dëshirës së Ana Vanozit, duke pretenduar se nuk ka pasur kurrfarë njohurie për dokumentin në fjalë deri më 2019.

“Ky dokument nuk është i vlefshëm për mua. Ky dokument për mua nuk paraqet kurrgjë, ky është dokument trillimi dhe kush e ka bërë nuk e di”, tha Tara.

Ai tha se shumë herë është tentuar që ai ta pranojë këtë dokument, por që ka thënë se nuk është e mundur dhe prandaj i kishte bërë kryqet (X) pasi s’ishte i tij.

Përpara kësaj, u tha se për rastin Dediq, dëshmitari pretendohet të ketë thënë se e kishte paralajmëruar familjen Dediq që të mos largohej nga shtëpia e tyre pasi ishte e pamundur që të kontrollohej popullata edhe gjysma e fshatrave.

Lidhur me këtë nuk u dëgjua përgjigja e dëshmitarit. Por, ai pohoi që nuk ka pasur detyrë dhe as mundësi të kontrollohej popullata.

Ndërsa për Marko Jeliqin, dëshmitari u pyet se a është e saktë që nëna e tij ka raportuar arrestimin e djalit të saj tek ai.

“Ka ardhur një zyrtar, i kujt ka qenë edhe sot e kësaj dite nuk e di. Ai ka pyetur 5-6 herë sa kam qenë komandant për këtë person, Markon”, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë rast, kishte dëshmuar edhe Stamena Jeliq, gruaja e Marko Jeliq, e cila për ZPS-në kishte deklaruar se rreth 16 qershorit 1999 ka qenë dëshmitare e rrëmbimit dhe keqtrajtimi të një fqinji të saj nga anëtarët e UÇK-së.

Ndërsa, më 9 gusht 1999 pretendohet se burri i saj ishte marrë nga shtëpia nga tre anëtarë të UÇK-së në prani saj. Sipas ZPS-së, Marko Jeliq nuk ishte kthyer kurrë në shtëpi dhe është zhdukur që nga ajo kohë.

Stamena Jeliq kishte deklaruar se vjehrra e saj kishte kontaktuar në atë kohë me komandantin e UÇK-së për të marrë informacion lidhur me djalin e saj, por që nuk kishte sukses.

“Personi përgjegjës për Rahovecin ka qenë Ismet Tara. Kam dëgjuar nga persona në Rahovec që ai ka qenë përgjegjës për zhdukjen e personave në fjalë. Vjehrra ime kur ka shkuar për të raportuar zhdukjen e djalit të saj, ka shkuar për t’u takuar personalisht me Ismet Tarën. Këtë ma ka thënë ajo personalisht”, ka thënë dëshmitarja Jeliq në këtë rast, por kishte mohuar se është takuar personalisht me Tarën.

Avokati i Veselit: Do i kërkojmë ZPS-së të na e japë dokumentin që e kërkoi dëshmitari

 Pas një pauze, në seancën e së martës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon njoftoi se do ia kërkojnë Prokurorisë dokumentin që dëshmitari e ka përmendur gjatë këtyre ditëve në Hagë, për të cilin thotë se është i brendshëm i ZPS-së.

Dixon tha se do i bëjë kërkesë ZPS-së që dokumentin t’ua japë sa më shpejtë që të jetë e mundur, raporton “Betimi për Drejtësi“.“Dëshiroj që të njoftoj ZPS-në që ne do të kërkojmë dokumentin që përmendi dëshmitari në procesverbal sepse ai dha një përshkrim të hollësishëm të dokumentit dhe tha se është dokument i brendshëm i ZPS-së dhe që ai e ka parë për herë të parë gjatë seancës përgatitore, kështu që unë do e njoftoj Prokurorinë që do i bëj kërkesë ZPS-së që të na e japë këtë dokumentin sa më shpejtë që të jetë e mundur. Në qoftë se është një dokument i brendshëm duhet të na i japin arsyet për këtë”, tha Dixon.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha Dixonit se ndoshta nuk ka ndonjë dokument të tillë. Ndërsa, avokati kundër-argumentoi që dëshmitari tha ndryshe.

“Ne duam që ZPS-ja të na e vë këtë dokument në dispozicion sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Dixon.

Ndërsa, prokurorja Vega Idoice tha se nuk ka ndonjë dokument të tillë për të cilin pretendon dëshmitari.

“Nuk ka një dokument të tillë. Dokumenti i cili ka thënë dëshmitari është deklarata e UNMIK-ut e 2001”, tha Iodice.

Por, Dixon ndërhyri duke thënë se dëshmitari shprehimisht tha se nuk është ajo deklaratë, por një dokument tjetër që ai po e kërkon.

Dixon tha se do ta bëjë këtë kërkesë gjithsesi dhe me sugjerimin e gjykatësit këtë gjë do ta bëjë kërkesë normale të protokolluar.

 

Tara: Pas shkuarjes në Rahovec më 1999, s’kam qenë përgjegjës për sigurinë

Dëshmitari Ismet Tara deklaroi të martën në Hagë se pas shkuarjes së tij në Rahovec në qershor të 1999-ës, ai nuk ka qenë përgjegjës për sigurinë.

Deklarata e Tarës erdhi pasi u pyet nga avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon se a pajtohet që gjatë kësaj periudhe situata ishte kaotike, e vështirë, me njerëz të frustruar dhe të armatosur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në atë kohë prej ardhjes sime si komandant në qytetin e Rahovecit unë nuk kam qenë përgjegjës për sigurinë e askujt sepse përgjegjësinë e ka marrë KFOR-i dhe UNMIK-u. Unë kam qenë në bashkëpunim duke i ndihmu KFOR-it dhe UNMIK-ut për të gjitha problemet që kanë mundur të ndodhin sepse unë nuk kam qenë as i obliguar as nga komanda ime as nga komandantet më lartë ose më poshtë- nga askush dhe nuk kam mundur unë që të bëj punë sepse unë jam njoftuar menjëherë që pas marrjes sime si komandant i brigadës jam takuar me komandant… përfaqësuesit e UNMIK-ut, OSBE-së dhe më është bërë e ditur që unë atë punë nuk mund ta kryej”, tha ai.

Tara tha se ka qenë e pamundur që të dijë edhe për atë se çfarë po ndodhë me ushtarët e tij.

“Unë nuk kam mundur që të dijë se as ushtarët e mi se ku janë… sepse ne nuk kemi pasur kazerma që t’i sistemojmë ata. Unë në stacionin e policisë ku jam vendosur për herë të parë unë kam mundur 50-60-70 maksimum me i fut aty me fjetë. Nuk ka pas vend as për të fjetur. Ne, nuk kem pasur kazerma që t’i shtijmë ata ushtarë dhe të jenë të kazermuar, janë kthyer në shtëpitë e veta dhe ndoshta nuk jam parë me atë gjatë kohës sa kam qenë komandant asnjëherë. Nuk e kam pas atë obligim”, tha ai.

Pas kësaj, avokati Dixon i tha se situatën kaotike e kanë cilësuar personat nga UNMIK-u.

Ai tha se nuk ka pasur shumë persona që e kanë pyetur se ku janë anëtarët e tyre të familjes të cilët ishin zhdukur. Tara tha se këtë gjë e kanë bërë vetëm personat që i ka pasur më të njohur, por vetëm gjatë kohës sa ai ka qenë në Rahovec dhe jo kur ai ishte në vende të tjera gjatë luftës.

Ndërsa, një shembull që ia prezantoi avokati dëshmitarit ishte për familjen Dediq, pasi ishte zhdukur Boban Dediq. Dëshmitari u pyet se a i kujtohet ky rast.

“Është përgjegjësi vetëm e imja dhe e imja nëse unë jam inkrimunaur në atë rast diçka. Është e imja dhe vetëm e imja dhe e askujt tjetër dhe as e ndonjë ushtari as timit dhe të askujt, sepse ngjarja ndodhë me mua zoti avokat dhe unë atë ngjarje ia kam shpjegu edhe atëherë në intervistat e mija plotësisht dhe saktësisht, i kam informu çka ka ndodhë dhe si ka ndodhë”, tha Tara lidhur me këtë rast, por që nuk u kuptua se për çfarë e kishte fjalën.

Ndryshe, në këtë rast ka dëshmuar edhe Predrag Dediq i cili është babai i Boban Dediq, e i cili kishte deklaruar për ZPS-në se së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij po jetonin në Rahovec dhe pas ikjes së ushtrisë serbe, pjesëtarët e UÇK-së mbërritën në Rahovec.

Ai kishte deklaruar se disa prej tyre shkuan në banesën e tyre me armë, ku dëshmitari Dediq ishte keqtrajtuar dhe u kërcënua pasi u pretendua se ai nuk po e jepte armën. Pas një dite, Dediq kishte deklaruar se u urdhëruan që ai dhe bashkëshortja e ti të largoheshin brenda 15 minutash nga banesa e tyre, gjë të cilën edhe e kishin bërë.

Sipas ZPS-së, Dediq ka treguar se më 18 qershor 1999 në prani të nënës së tij, djali i tij Boban Dediq ishte rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së ku i kishin thënë gruas që djalin e saj po e marrin në stacionin e policisë për një intervistë.

Sipas ZPS-së, dëshmitari ishte interesuar për djalin e tij, për çka kishte shkuar në stacionin e policisë ku po qëndronte UÇK-ja për çka edhe ai ishte ndaluar për një orë dhe më pas ishte liruar pas ndërhyrjes së KFOR-it.

Si rrjedhojë, ZPS-ja kishte pretenduar se dëshmitari ka treguar se Ismet Tara dhe një anëtar i KFOR-it një ditë pas kishin shkuar tek shtëpia e dëshmitarit ku i kishin premtuar që djalin e tij do ta lironin të nesërmen në mëngjes gjë e cila nuk kishte ndodhur. Që nga ajo ditë, dëshmitari ka thënë se djalin e tij nuk e ka parë më.

Për qendrën e zjarrfikësve në Rahovec, Dediq kishte pretenduar se ishte qendër ku i mbanin serbët e rrëmbyer e që më pas i vrisnin. Ai ka pretenduar në Hagë se këtu mbahej edhe djali i tij.

Veç kësaj, Dediq kishte pohuar se djali i tij ishte rezervist në ushtri dhe mbante armë në shtëpi para se të rrëmbehej. Ai kishte shtuar se Ismet Tara e dinte për vendndodhjen e tij

Në anën tjetër, përpara gjithë kësaj, sot dëshmitari tha se në fillim të janarit të ’99-ës, se ka qenë financier në Zonën e Pashtrakut i emëruar nga Komandant Drini.

Ai tha se në emërimin e tij s’ka diskutuar askush nga Shtabi i Përgjithshëm por që ka qenë Drini ai që e ka marrë.

“As taku me mu jo, as diskutu me mu kush jo. Mirëpo, vetë Komandant Drini ka ardhë për vit të ri, kemi festu vitin e ri me të gjithë ushtarët dhe pas viti të ri më 1 janar 1999 së bashku me Drinin kemi udhëtuar në Shtabin e Zonës”, tha ai.

Tara tha se pas bombardimeve të NATO-s, konkretisht më 25 mars 1999 i është bashkuar sërish Brigadës 124 “Gani Paçarizi”. Ai tha se në këtë brigadë ka qenë deri në qershor të 1999-ës kur edhe janë kthyer në Rahovec.

Ai tha se është emëruar komandant në Brigadën 124 me vendim të shkruar nga Sylejman Selimi në fund të qershorit 1999-ës. Tha se nuk e ka ditur që Sylejman Selimi nuk kishte funksion në UÇK më.

“Dokumenti është lëshuar në emër të komandant Sylejman Selimit”, tha ai, duke shtuar se e zëvendësoi Skënder Hoxhën.

Po ashtu, Tara theksoi se pa u biseduar me komandantin e Zonës është emëruar nga Sylejman Selimi në këtë pozitë.

Tara tha nëse komandanti i Zonës ia ka paraqitur kërkesën Sylejman Selimit nuk e di, por ai e di që e ka marrë emërimin e tij nga Sylejman Selimi.

Duke folur për qershorin e ’99-ës dhe pas kësaj periudhe, dëshmitari u pyet se a i ka njohur të gjithë dëshmitarët në brigadën e tij. Tha se kanë marrë pjesë më shumë se mbi një mijë ushtarë dhe që nuk i ka njohur shumicën prej tyre pasi shumë kishin ardhur nga Shqipëria.

Dëshmitari e quajti normale që mund të kenë qenë të frustruar ushtarët kur janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe kanë parë ato të djegura dhe të shkatërruara e familjet e tyre të zhdukura.

“Ata kur janë kthyer në shtëpitë e tyre, familjet e tyre janë zhdukur, janë rrahur, janë masakruar, janë djegur dhe jo është normale që ata të jenë të frustruar dhe ka mundur që të bëjnë gjithçka”, tha dëshmitari.

Tara: Kurrë s’kemi pasur ushtri të rregullt, në shtator të ‘98-ës s’ka pas strukturë hierarkike

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon ia prezantoi dëshmitarit Ismet Tara deklaratën e mëhershme ku ai kishte deklaruar se të gjithë ushtarët kanë qenë vullnetarë dhe se nuk kanë pasur asnjëherë një ushtri të rregullt. Tara mohoi që në shtator të 1998-ës ka pasur ndonjë strukturë hierarkike në ushtri.Ai pretendohet se ka thënë që UÇK-ja përbëhej prej qytetarëve të zemëruar nga pushteti serb për shkak të keqtrajtimeve. Përgjigja e tij nuk u dëgjua por u pa teksa pohonte me kokë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Tara u pyet se a ka thënë që dëshironin të jepnin përshtypjen se kishin një ushtri të vërtetë e cila nuk ishte ashtu. Dëshmitari tha se nuk i kujtohet, duke shtuar se duhet të merret edhe përkthimi në anglisht pasi ka hasur në shumë gabime gjatë përgatitjes së tij me prokuroren.

“Kurrë, kurrë, kurrë jo, nuk kemi pasur një ushtri të rregullt”, tha ai.

Tara tha se deri me kthimin e tij prej Shqipërisë pas 20 shtatorit 1998 nuk ka dëgjuar asnjëherë që ekzistojnë brigadat e UÇK-së por vetëm shtabet lokale të qyteteve dhe fshatrave.

“Deri pas kthimit tim prej Shqipërisë pas 20 shtatorit nuk kam dëgjuar që ekzistojnë brigadat e UÇK-së”, tha ai.

Pas 20 shtatorit, dëshmitari tha se është folur për organizimin e brigadave konkretisht pas krijimit të Zonës së Pashtrikut. Pas kësaj date, Tara tha se UÇK-ja gati është shpërbërë por që kanë filluar me krijimin e brigadave.

“Është filluar një përgatitje që të vijnë ushtarë të rinj dhe të vjetër që janë larguar në Shqipëri që të përmbushet numri sado pak i ushtarëve. Ka filluar organizimi i brigadave pa ushtarë, pa ushtarë edhe për njësitet më të vogla jo për brigadë”, tha Tara.

Gjatë kësaj kohe, Tara tha se ka qenë financier i njësitit “Arti” dhe si anëtar i logjistikës së këtij Shtabi.

Kur u pyet se a ka pasur ndonjë strukturë hierarkike pasi u kthy nga Shqipëria në shtator të 1998-ës, ai u përgjigj me “asnjëherë”.

Tara flet për dokumentin që po e kërkon: Kinse di për shumë krime që i ka bërë UÇK-ja e për vrasje të civilëve

 Pasi diskutoi me avokatin e tij, Ismet Tara i njohur si Komandant Hoxha, tha se Prokurorisë do t’i përgjigjet në pyetjet shtesë vetëm në ato raste kur pyetjet e tyre dalin nga kundërpyetjet e mbrojtjes dhe jo për tema të tjera.

“Pyetjeve shtesë lidhur me këto pyetje që do i parashtroni ju do i përgjigjem edhe asaj, por në qoftë se del jashtë pyetjeve tuaja nuk do t’i përgjigjem”, tha Tara, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Avokati Rodney Dixon që përfaqëson Kadri Veselin, i tha se ky është vendim që duhet ta marrin gjykatësit dhe jo ai. Gjithashtu kërkoi që të informohet se çfarë ishte ai dokument që Tara e kërkoi dje.

“Dokument që është zhdukur prej prokurores sime. Është dokument që është përshkru më 2019-ën të gjithë ata hetues dhe prokurorë të mi që më kanë marrë në intervista për 32 orë. Ai dokument nuk është përshkruar në prezencën time. Nuk më është treguar kurrë as për t’u lexuar dhe as nuk e kam nënshkruar dhe nuk kam pasur njohuri për atë dokument që disa vite më radhë vetëm se me datë 19 (të mërkurën) me stafin e prokurores më është treguar ai dokument për herë të parë”, tha Tara.

Dëshmitari Tara tha se ai dokument përmban informacione se kinse ai ka akuzuar UÇK-në për krime. Veç kësaj, ai thotë se dokumenti është zhdukur nga prokurorja Vega Iodice.

“Ai dokument sipas përshkrimit të ish-intervistuesve të mi, prokurorëve të mi sikurse Ismet Tara të kishte thënë se ai di shumë krime që kanë ndodhur, që shumë krime që i kanë bërë UÇK-ja, që kanë vrarë civilë, që kanë dhezur civilë, e që kanë bërë krime jonjerëzore sipas përshkrimeve të tyre. Janë dy fletë të cila nuk i kam nënshkruar unë kurrë dhe nuk më janë paraqitur mua kurrë, s’i kam parë kurrë dhe nuk më janë tregu kurrë. Për herë të parë më janë tregu nga prokurorja e cila e ka zhdukë”, tha ai, duke shtuar se të njoftuar janë edhe stafi i saj dhe përkthyesja shqiptare.

Tara tha se prokurorja i ka thënë që ai dokument i përket stafit të ZPS-së gjatë intervistimit të tij më 2019-ën, por ai shtoi se ai dokument nuk ka qenë i njohur për atë.

Ai shtoi se i është thënë se ai dokument përmban përshkrimin gjeneral se çfarë e kanë cilësuar hetuesit e ZPS-së me 2019-ën dëshmitarin.

“Kur kam filluar që ta lexoj këtë dokument kam filluar që të qaj dhe të bërtas zoti avokat. Një fletë e kam lexuar unë dhe kur e kam parë se si më kanë përshkruar këta mua, jam trishtuar dhe e kam humbur veten dhe më ka kapur frika se ende e kësaj dite jam i rrezikuar për atë dokument në qoftë se nuk bëhet i hapur dhe nuk paraqitet ai dokument që të shqyrtohet tërësisht dhe të bëhet i njohur që ai përshkrim është i përshkrim i egër i dëshirave të tyre”, tha ai.

Dixon tha se do të bëjnë pyetje lidhur me këtë dokument, por aktualisht do të bëjnë pyetje të tjera.

Dëshmitari pohoi se ka qenë pjesë e njësisë “Arti” dhe më pas ka kaluar në Zonën e Pashtrikut e më pas në Brigadën 124.

Ai shtoi se ka ndihmuar edhe Shtabin e Likocit që përfshinte Rezallën dhe Plluzhinën me ndihmat e tij dhe popullatës që përfshinë ushqimin barna.

Tara pranon t’i përgjigjet mbrojtjes por jo Prokurorisë

Dëshmitari Ismet Tara ka thënë se do t’iu përgjigjet pyetjeve të ekipeve të mbrojtjes, por të njëjtën gjë nuk do ta bëjë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Fillimisht, avokati i Tarës, Idriss Van Straalen, tha që klienti i tij dëshiron që ai ta përsërisë kërkesën që t’iu jepet mundësia që të flasë dhjetë minuta për të folur për një dokument që i është paraqitur atij nga hetuesit e ZPS-së, ndonëse kjo kërkesë iu është kundërshtuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ai gjykon se është e nevojshme për të që të flas për këtë dokument sepse lidhet me sigurinë e tij gjatë dëshmisë”, tha ai.

Gjykatësi Charles Smith tha se nuk do t’ia miratojnë këtë kërkesë dhe do të vazhdojnë me pyetjet e mbrojtjes së Kadri Veselit përmes avokatit Rodney Dixon.

Ismet Tara tha se dokumenti në fjalë nuk i është paraqitur kurrë, por deri në seancën përgatitore me prokuroren që sipas tij ishte shqetësues për atë.

“Ai dokument është shumë shqetësues për mua. E ftoj gjyqtarin edhe pse nuk ma la këtë mundësi që ta shpreh këtë shqetësimin tim para palës mbrojtëse, unë do t’i përgjigjem pyetjeve të tyne”, tha ai.

Njëri nga gjyqtarët i tha dëshmitarit se në rast që i përgjigjet mbrojtjes e ka për detyrim që t’i përgjigjet edhe Prokurorisë.

“Të mbrojtjes po, por të prokurores sime pa pasur dokumentin tim, jo”, tha ai.

Avokatit iu kërkua që të bisedojë me dëshmitarin që t’i shpjegohet detyrimi i tij si dëshmitar.

Si rrjedhojë, iu lejua pushimi në mënyrë që avokati të bisedojë me dëshmitarin.

--------

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca e këtij procesi gjyqësor pritet të nis sot në orën 9:00.

Sot në sallën e gjyqit dëshmitarin Ismet Tara pritet ta marrin në pyetje ekipet e mbrojtjes, për çka dëshmitari dje kërkoi që të flasë fillimisht me një avokat për ta ngritur shqetësimin e tij lidhur me dokumentin të cilin e kërkoi t’i paraqitet që nga fillimi i dëshmisë së tij.

Njëri ndër ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tara, në Facebook ka shkruar mbrëmë se do të kundërshtojë të gjitha akuzat ndaj krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, duke i cilësuar ato si të orkestruara nga qarqe serbe dhe bashkëpunëtorë të tyre.

Deri më tani, ky është dëshmitari i 123-të i ZPS-së në Gjykatën Speciale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat