Aktori shqiptar Çun Lajçi përmes një postimi në Facebook ka shkruar në lidhje me një ngjarje që i ka ndodhur.
Ai tregon se si kishe recituar një poezi për rënien e Brigadws “Agim Ramadani”, përcjell “Bota sot”.
Aktori thotë që vargjet që recitova dikujt nuk i pëlqyen dhe kjo më kushtoi duke më future policia në veturë.
“Artist, e patëm për detyrë me të ruajt, se ishe në rrezik”, ishin fjalët që ia kishin thënë aktorit, derisa i njejti i kujton me mall duartrokitjet e familjarëve kur recitoi poezinë.
Postimi i plotë
Pse më futi policia në veturën e tyre, në prillin e harruar?
Pranverë ishte dhe bora po binte fluska-fluska! Në Koshare po rikthehej dimri, në prillin e atij vitit që mbeti i fundit për mua. Unë kurrë më s’u ngjita atje dhe kurrë më s’recitova në përvjetorin e rënies së Brigadës "Agim Ramadani!"
Pse? – pyeta shumë vite me radhë dhe kurrë s’mora përgjigje!
Atë ditë, dikujt s’i pëlqeu poezia që recitova, ndonëse nuk ishte e imja, dhe mbase kjo më shpëtoi atë ditë prilli me fluska dimri!
Shfletova libra me poezi kushtuar heronjve dhe ndër të gjitha ato që lexova, përtej mase më pëlqeu "Heroi im" i poetit Avni Rudari.
Aq shumë u mishërova me vargun e poetit, saqë kur u gjenda në Kosharën e qindra trimave dëshmorë, vargjet filluan të flasin sikur po shkruheshin aty, mes varrezave që po zbardheshin nga bora! U treta n'mendime, sa më dukej sikur po e shihja veten të strukur nën ahat qindvjeçar, e Agimin me automatik në dorë duke i dhënë shenjë me kokë Salihut:
– Ti nga sipër, unë nga poshtë! T’i gozhdojmë te kazerma!
Ia përzgjodha një muzikë adekuate, vesha një xhemper dhe krahëve e hodha një setër lëkure, nga që bënte ftohtë. Hipa në skenë e ligjërova;
– Atje, – bëra me dorë nga varrezat, – atje flenë ata! Nga atje erdha unë që t’iu them se nuk mbërthehemi nga bora! Ne jemi krushqit e lirisë e lulet e Kosharës!
Më kujtohet se në radhën e parë rrinin ca barkoçë partiak e pushtetarë të buzëqeshur!
Por unë po flisja me varrezat, s'po i shikoja fare barkalecët partiak!
E përshtata vargun me situatën, duke ruajtur esencën e poezisë, dhe, - aty ku shkruante: "Ai ishte heroi im", unë thashë:
"Agimi s’ishte i imi, ishte edhe i juaji, ishte edhe i atyre! Ai ishte i të gjithëve! Ai s’luftoi vetëm për juve, ai luftoi për ata, për mua, për të gjithë neve dhe ai s'ishte barkalec!
Poezia bënte fjalë për heronjtë që përvetësoheshin nga krahinat, nga lagjet, nga grupacionet, duke rrahur gjokset: "Ata janë heronjtë tanë!"
Jo! – thashë, - Ata s’luftuan për juve, nuk vdiqën për juve. Ata nuk ishin të juajt! Ata vdiqën për Kosovën, luftuan për Kosovën! Jo për mua, për ty, për ata – për ne luftuan dhe për atdheun vdiqën!
Ata s’ishin barkoçë si ju, se flinin maleve e hanin fara lisash! Ata s’ishin si n'përmendoret që ua bëtë! Ata ishin si ne, njerëz që e donin atdheun, më shumë se vetvetën!
Këto fjalë mbase s’u pëlqyen atyre barkalecëve pushtetarë sepse buzëqeshjet ua ngriva me fjalët e poetit Rudaku!
Me të zbritur nga skena, dy policë më futën në veturën policore. U nisën me të shpejtë për Junik.
I befasuar, madje edhe i trishtuar, i pyeta:
– Ku më çoni? Çfarë ndodhi?
– Artist, e patëm për detyrë me të ruajt, se ishe në rrezik!
Përtej Pejës, në fshatin Qyshkë, më lëshuan. Aty ndalova autobusin dhe ika për Prishtinë!
Shkrova sot, mbas sa e sa vitesh, sepse pëllumbat që zbritën në ballkonin tim, kur ua troshita bukën e mykur, më kujtuan familjarët që duartrokitën në Koshare e pushtetarët me fytyrat e ngrysura!
Kë e vrau poezia dhe kush ishin ata barkalecët që s'donin t'më shihnin pas përformancës? Mos vallë, ajo ditë, më bëri t'padeshiruar përgjithëmonë për vipat politik!
25.02.2025