Osmani dhe ambasadori suedez nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Aktuale

Osmani dhe ambasadori suedez nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 11:48
Foto nga vendngjarja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë,  Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe për bashkëpunimin në tejkalimin e sfidave të përbashkëta në kontinentin evropian.

Përmes rrjetit social ‘Facebook’ Presidenca bën të ditur se gjatë këtij takimi, presidentja Osmani, ambasadori Westerlund, si dhe drejtori ekzekutiv i Balkan Policy Research Group, Naim Rashiti, kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do t’i sigurojë Zyrës së Presidentes mbështetjen e shtetit suedez nëpërmjet ekspertizës profesionale nga fushëveprimtaria e institucionit të Presidencës.

“Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani falënderoi ambasadorin Westerlund për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se ky memorandum bashkëpunimi shënon një tjetër hap konkret “në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të politikave të bazuara në ekspertizë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat