KQZ: Të mërkurën fillon numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

Aktuale

KQZ: Të mërkurën fillon numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rikonfirmuar se të mërkurën, më 26 shkurt, do të fillojë numërimi i votave nga votimi në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës në të cilat u votua më 8 shkurt. Ky njoftim është bërë në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur të martën.

Një ditë më herët, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se numërimi i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike, më shumë se 15 mijë, do të fillojë të mërkurën.

Më 8 shkurt votimi jashtë Kosovës është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 43 vendvotime dhe nga 20,324 votues të regjistruan kanë votuar 75.57% e tyre apo 15,352.

Në mbledhjen e KQZ u njoftua edhe për përfundimin e procesit të vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosoës, respektiviht votimi përmes postës.

Sipas të dhënave të KQZ-së, nga rreth 69 mijë pako me fletëvotime të dërguara në kutitë postare të KQZ-së, janë aprovuar 62,990 zarfe, ndërkaq janë refuzuar 4,865 të tjera.

Gjatë vlerësimit, është vërtetuar se 131 zarfe janë dërguar gabimisht në kutitë postare të KQZ-së, kurse 729 zarfe nuk janë vlerësuar, pasi aplikuesit aplikuesit kishin zgjedhur të votonin fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Për vlerësimin e këtyre zarfeve, është e nevojshme skanimi i listës së votuesve të përfaqësive diplomatike, për të mundësuar krahasimin dhe shmangien e votimit të dyfishtë.

Arsyet e refuzimit të 4,865 zarfeve: 2,870 zarfe nuk janë proceduar, pasi votuesit ishin të anuluar gjatë fazës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës (29 gusht 2024 – 26 dhjetor 2024),  310 zarfe janë refuzuar, pasi fletëvotimi nuk ka qenë i personalizuar (një person – një fletëvotim),  24 zarfe janë refuzuar, pasi nuk kanë pasur pullë/vulë postare, 138 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit i kanë dërguar nga një shtet tjetër nga ai që kishin deklaruar gjatë regjistrimit, 178 zarfe janë refuzuar, pasi brenda tyre ka qenë vetëm dëftesa e regjistrimit, pa fletëvotim,  432 zarfe janë refuzuar, pasi brenda tyre ka munguar dëftesa e regjistrimit dhe kanë përmbajtur vetëm fletëvotimin, 45 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit kanë dërguar fletëvotimin me dokument identifikues të Kosovës dhe nuk kanë përfshirë dëftesën e regjistrimit dhe 868 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit kanë dërguar zarfin me fletëvotim më shumë se një herë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat