Numërimi i votave të dërguara nga diaspora pritet që të fillojë të mërkurën. Ndërkaq, deri sot në orën 12:00 janë skenuar 890 lista përfundimtare të votuesve nga 2 mijë e 533 gjithsej.
Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e radhës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar te Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se rreth 730 zarfe me fletëvotime nuk janë vlerësuar fare për shkak se pritet skanimi i listave përfundimtare në përfaqësi diplomatike.
Buzhala: Deri sot janë skenuar 890 lista përfundimtare të votuesve nga 2 mijë e 533 gjithsej
“Deri sot në orën 12 janë skenuar gjithsej 890 lista përfundimtare të votuesve nga 2 mijë e 533 gjithsej. Shprehur në përqindje i bie që listat përfundimtare të votuesve janë skanuar për 35.13 për qind të vendvotimeve. Aktiviteti i fundit i cili ka përfunduar dje me datën 24 shkurt është vlerësimin i zarfeve me fletëvotime të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së. Nga 68 mijë e 712 zarfe të dërguara nga kutitë postare të KQZ-së, 62 mijë e 990 janë aprovuar ndërsa 4 mijë e 865 zarfe janë refuzuar. Gjithashtu, kemi edhe 729 zarfe me fletëvotime që nuk janë vlerësuar fare për shkak që për këto zarfe pritet skanimi i listave përfundimtare në përfaqësi diplomatike. Arsyeja pse këto zarfe nuk janë vlerësuar është që këta 729 votues gjatë periudhës së regjistrimit janë përcaktuar që të votojnë qendrat e vetmit jashtë Kosovës. Por, ndërkohë kanë dërguar edhe zarfet me fletëvotime përmes postës dhe pas skanimit të listave përfundimtare të votuesve në këto qendra të votimit që janë shfrytëzuar nga jashtë Kosovës ne do ta bëjmë vlerësimin përfundimtar”, tha Buzhala.
Buzhala potencoi se kutitë e votimit që përmbajnë zarfet me fletëvotimet përmes postës pritet që sot rreth orës 15:00 të transportohen në Qendrën e Numërimit të Rezultateve nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi kërkoi që të themelohet një komision i cili do të merret me hetimin e parregullsive me kutitë e votimit në Gjakovë dhe Mitrovicë dhe çështje të tjera.
Gashi: Kërkoj që ta bëni një komision për të hetuar kutinë në Gjakovë, është thënë se ka qarkulluar Treni Bullgar
“Unë kërkoj nga ju që ta bëni një komision për të hetuar edhe kutinë në Gjakovë mbi të cilën është thënë se ka qarkulluar treni bullgar. Kutia 020706 e cila është objekt hetimit. Ajo kuti është numëruar. Kërkoj ë largohet nga rezultati deri në një hetim përfundimtar dhe për këtë ju duhet ta bëni një komision edhe brenda pavarësisht përfundimeve. E kemi një problem edhe në kutinë 110207 në Mitrovicë. Edhe kjo duhet të trajtohet dhe hetohet nga një komision. Edhe sa i përket çështjes së verifikimit të votave të diasporës do të duhej që edhe këtu të ketë një komision për të hetuar të gjitha votat e dyfishta personat që kanë votuar nga dy herë...Edhe një çështje tjetër, votimi në QKUK të dielën ku është bërë në orën 11:00, e gjysmë të natës në procedurë antiligjore. Madje ne si KQZ nuk kemi qenë të njoftuar. Edhe këtu duhet të bëhet një komision” , potencoi Gashi.
Kundër kësaj reagoi anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi duke thënë se është këndvështrim komplet i një anshëm, politik dhe jo profesional i Gashit.
Sipas tij, organet kompetente po merren me kutinë e votimit në Gjakovë.
Krasniqi: Këndvështrim i një anshëm politik dhe jo profesional
“Ky këndvështrim komplet i një anshëm edhe politik dhe jo profesional i kolegut. Sepse për kutinë në Gjakovë organet janë duke u marrë dhe ne nuk kemi nevojë me ndërmarrë një veprim tjetër përveç asaj çka organet e hetuesisë i kanë marrë materialet...Sa i përket rastit të Mitrovicës me sa jam i informuar prej drejtorit të operacioneve zgjedhore por edhe prej vetë KKZ dhe IKZ-së ata kanë dërguar një raport mbi këtë kuti. Përveç problemeve teknike që ka kjo kuti asnjë problem tjetër për sa i përket procesit nuk është raportuar...Nuk është shumë e shëndetshme me dalë kështu befas me teori apo edhe më lloj deklaratash që më shumë e dëmtojnë reputacionin e institucioni sesa diçka tjetër”, ka thënë ai.
Ndërkaq, krejt në fund kryetari i KQZ-së, Kreshin Radoniqi bëri të ditur se nesër, 26 shkurt pritet që të fillojë numërimi i votave të diasporës.