Murati: Për më pak se dy muaj, borxhi për kontratën kolektive ka shkuar mbi 35 milionë euro

Aktuale

Murati: Për më pak se dy muaj, borxhi për kontratën kolektive ka shkuar mbi 35 milionë euro

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 17:06
Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ende pa përfunduar muaji shkurt, janë dorëzuar 23.118 lëndë përmbarimore kundër komunave në Thesarin e Shtetit për shkak të kontratës kolektive, që ai konsideron se është nënshkruar kundër ligjit.

Shuma e kërkuar për përmbarim, sipas Muratit, ka arritur në 35.8 milionë euro vetëm gjatë këtij viti, ku 25.6 milionë janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa 10.2 milionë euro përbëjnë tarifat e përmbaruesve.

Ministri ka thënë se dëmi buxhetor për kontratat kolektive ka tejkaluar 100 milionë euro prej kur Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2022 u dha të drejtë mësimdhënësve që të marrin benefitet nga kontrata kolektive.

Murati ka shtuar se është e çuditshme pse deri më tash  nuk është raportuar për ndonjë hetim nga Prokuroria ndaj personave që “nënshkruan paligjshëm” këtë kontratë dhe shkaktuan dëmin e madh financiar.

“Një tjetër shqetësim mbetet edhe abuzimi i përmbaruesve me tarifat, ku në disa raste ato tejkalojnë vlerën e vetë borxhit që përmbarohet”, ka shkruar Murati në Facebook.

Asociacioni i Komunave herë pas herë ka reaguar duke bërë thirrje që të gjendet zgjidhje për kontratën kolektive pasi komunat janë buzë kolapsit financiar. Komunat marrin para nga investimet kapitale për t’i paguar kontratat kolektive të punëtorëve, kryesisht në arsim. Kontrata kolektive parasheh shtesë mbi pagën bazë të mësimdhënësve, si përshembull përvoja punës apo të tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat