Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi sot se të mërkurën pritet të nisë numërimi i votave të hedhura nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike të vendit, për zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit.
Pas numërimit të tyre pritet të nisë edhe numërimi i votave të dërguara me postë që do të shënonte edhe një hap drejt përmbylljes së tërësishme të këtij procesi i cili është përshkuar me kritika për vonesa dhe probleme teknike.
Mbi 15 mijë e 300 vota janë hedhur në përfaqësitë diplomatike të Kosovës ndërkaq mbi 68 mijë e 700 vota janë dërguar me postë.
Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha sot se nga votat e dërguara me postë 62 mijë e 990 janë aprovuar ndërkaq katër mijë e 865 janë refuzuar.
“2 mijë e 870 zarfe nuk janë proceduar pasi votuesit ishin anuluar gjatë fazës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës. 310 zarfe pasi fletvotimi nuk ka qenë i personalizuar pra një person një fletvotim, 24 zarfe janë anuluar pasi nuk kishin vulë postare, 138 zarfe janë refuzuar pasi votuesit i kishin dërguar prej një shteti tjetër nga ai që kanë deklaruar gjatë regjistrimit, 178 zarfe janë refuzuar sepse brenda tyre ka qenë vetëm dëftesa e regjistrimit por pa fletvotim, 432 zarfe janë refuzuar për mungesë të dëftesës së regjistrimit, 45 janë refuzuar sepse janë dërguar me dokument identifikues të Kosovës”, tha ai.
Zoti Buzhala theksoi se mbi 860 zarfe janë refuzuar për shkak se votuesit kanë dërguar fletvotimin më shumë se një herë. Kjo nxiti debat gjatë mbledhjes së Komisionit Qendor ku disa përfaqësues të partive politike kërkuan hetim rreth mundësive për keqpërdorim nga vet qytetarët apo ndonjë palë e tretë.
“Sa i përket verifikimit të votave të diasporës do të duhej të kemi edhe këtu një komision për të vërtetuar të gjitha votat e dyfishta, personat të cilët kanë votuar nga dy herë duhet të hetohet nëse janë persona që vet e kanë bërë një gjë të tillë apo ka mundur dikush ta bëj në emër të tyre për herë të dytë sepse mund ta ketë pasur dikush certifikatën e tyre dhe e ka përdorur”, tha përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Ilir Gashi.
“Natyrisht çdo proces zgjedhor ka gabime teknike dhe natyrisht që KZQ është këtu për të ndërmarrë të gjitha veprimet, çfarëdo pretendimi që del vërtetohet dhe pastaj mirret një vendim nga ana jonë si institucion. Por ndoshta nuk është e shëndetshme të dilet kështu befas me teori ose deklarata që më shumë e dëmtojnë reputacionin e institucionit se diçka tjetër”, tha përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi.
“Këtu duhet të bëhet një analizë dhe të kemi një raport të hollësishëm se përse kanë votuar dy herë, a nuk kanë ditur apo ka votuar dikush për ta, apo si qëndron situata? Kjo është vepër penale mbi të gjitha”, tha përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ibrahim Selmanaj.
Sipas vëzhguesve të proceseve zgjedhore në Kosovës, votat e diasporës nuk pritet të sjellin ndryshime të mëdha në rezultatin aktual pas numërimit të të gjitha votave për subjektet politike dhe kandidatët e tyre, të cilat janë hedhur në vendvotime të rregullta në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje duke fituar rreth 41 për qind të votave, pasuar nga Partia Demokratike me rreth 22 për qind, Lidhja Demokratike me rreth 17 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me partnerët rreth 7 për qind.
Ky rezultat ka lënë të hapura disa mundësi për formimin e qeverisë meqë sipas tij asnjëra nga partitë politike duket se nuk do të mund të formojë e vetme qeverinë e re.