Pas më shumë se një orë e gjysmë doli nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Adile Sadriu, erdhi për të dhënë dëshminë lidhur me dhunën fizike, psikike dhe seksuale që thotë se i është bërë nga personi me të cilin bashkëjetonte.
Detaje për dëshminë e saj dha avokati, Hamdi Jashari.
“Gjatë marrjes në pyetje ka qenë prezent edhe një ekspert psikolog, i cili paraprakisht e ka vlerësuar gjendjen e të dëmtuarës që është e aftë për të dhënë deklaratë edhe ka kujtesë të freskët shumë më të mirë sesa në ditën që e ka dhanë deklaratën fillestare në Policinë e Lipjanit”.
Jashari madje tregoi se çka pret që do të ndërmerret tutje përveç inicimit të rastit si dhunë në familje.
“Unë pres që nga provat të cilat i ka Prokuroria, pa asnjë mëdyshje aktvendimi për fillimin e hetimeve do të zgjerohet do te thotë edhe në drejtim të veprës trafikim me qenie njerëzore, por edhe dhunimi pasi që në bazë të deklaratës së të dëmtuarës në shumë raste ka pasur edhe marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj. Por këtu nuk vjen në fare pëlqim duke e pas parasysh gjendjen e saj të aftësive të veçanta e cila është vepër e paraparë në mënyrë të veçantë e nenit 227 paragrafi 4 ku e përcakton marrëdhënien seksuale me personat e ndjeshëm”, ka deklaruar ai.
Ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prishtinë tregua se rasti është duke u hetuar.
“Ju informojmë, se ky rast është në procedurë hetimore, dhe viktima është duke u trajtuar nga Njësiti për Mbrojtje nga Dhuna në Familje”.
Kurse të pandehurit që dyshohet se ka kryer vepër penale i është caktuar masa e paraburgimit.
Rasti i 31 vjeçares u bë publik në rrjetet sociale dy javë më parë.