Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar më shumë angazhim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përfundimin e procesit të numërimit të votave.
Në adresimin e tij në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Kurti bëri thirrje për kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur siç u shpreh ai një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik.
Ai tha se edhe diaspora pati një pjesëmarrje të madhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kurti: KQZ të angazhohet për përfundimin e procesit të numërimit
“Të gjithë presim nga Komisioni Qendror Zgjedhor edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve për çfarë falënderoj secilën dhe secilin. Pjesëmarrje më të lartë ndonjëherë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë e cila për herë të parë përveç votimit me post pati mundësinë të votojë edhe në ambasadat dhe konsullatat tona”, theksoi ai.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se nga Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit qytetarët presin sa më parë formimin e institucioneve të reja të vendit.
Shefi i ekzekutivit kosovar kërkoi nga kabineti qeveritar që të vazhdojnë punën me të njëjtin ritëm.
Kurti: Qytetarët presin formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë
“Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës sipas njoftimeve të KQZ më së largu deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qarë të këtyre zgjedhjeve nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë nga ju të nderuar kabinet qeveritar pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë kësaj mbledhje përmendi edhe lehtësirat që janë krijuar për mërgatën përfshirë digjitalizimin dhe njohjen e patentë shoferëve nga disa shtete.
Derisa theksoi se janë në proces të njohjes së patentë shoferëve edhe nga Kanadaja dhe Turqia.
Kurti: Për njohjen e patentë shoferëve jemi në proces edhe me Kanadanë dhe Turqinë
“Fillimisht ishte Gjermania ajo e cila njohu patentë shoferët tanë nga hyrja në fuqi e marrëveshjes nga prilli i viti 2023 rreth 30 mijë bashkatdhetarë kanë konvertuar patentë shoferët nëpërmjet kësaj marrëveshje. Nga muaji i kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë për njohjen e patentë shoferëve, ndërkaq nga muaji i ardhshëm me Austrinë hynë në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese sa i përket ligjit të patentës së shoferëve në Austri....Pas Gjermanisë, Italisë, Austrisë në proces të finalizimit të njohjes së ndërsjellë të patentë shoferëve jemi edhe me Kanadanë dhe Turqinë”, theksoi Kurti.
Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%.