Dezinformatat ruse dhe kineze paraqesin problem global që kërkon koordinim dhe angazhim të bashkërenduar mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, thotë në një intervistë, Ben Graham, konsulenti i specializuar në sfidat e reja për integritetin e zgjedhjeve nga Britania e Madhe.
Ky bashkëpunim, thekson ai, është i domosdoshëm për të ndërtuar integritetin e informacionit.
Në anën tjetër, dezinformimit rus nuk i shpëtuan as zgjedhjet në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt. Tituj me përmbajtje manipuluese pati gjatë gjithë fushatës.
Misioni i Bashkimit Evropian theksoi se vetëm “RT Balkan” dhe “Sputnik Serbia” kanë publikuar rreth 60 artikuj për zgjedhjet në Kosovë, me narrativë manipulimi kundër komunitetit serb.
Graham: Dezinformatat ruse, sfidë globale
“Dezinformata ruse është një sfidë globale dhe është një realitet me të cilin çdo vend duhet të përballet. Kemi dezinformata nga një gamë e gjerë, që është gjithnjë e më shumë e koordinuar. Kështu që shohim, për shembull, perversione të informacionit që herë pas here përforcohen gjithashtu edhe nga rrjetet kineze, pra shohim një nivel të rritur të koordinimit global. Por, sa i përket Ballkanit në mënyrë specifike, ka shumë organizata që punojnë në këtë fushë brenda rajonit, mendoj se do të ishte e përshtatshme të flisnim brenda këtyre dinamikave”, thotë ai.
Graham flet për masat që po merren për të ruajtur integritetin e informacionit dhe zgjedhjeve.
Graham: BE-ja po ndërmerr hapa të rëndësishëm kundër dezinformimit
“Do të thosha se BE-ja po ndërmerr hapa shumë të rëndësishëm, nëse e shohim FIMI-ISAC për shembull, i cili është krijuar për të lehtësuar një koordinim më të madh, në kuadër të kuptimit të natyrës së kërcënimit. Ka gjithashtu një numër gjithnjë e më të madh organizatash që po përdorin korniza të përbashkëta për të shpërndarë të dhëna dhe për të ndarë informacion mbi incidentet e dezinformimit, përfshirë operacionet informative ruse. Mendoj se tashmë ka shumë përparime që janë bërë në nivelin e BE-së, por në të vërtetë kjo kalon përtej BE-së. Është një sfidë globale, dhe ajo që duhet të bëjmë tani është forcimi i këtyre lidhjeve përtej BE-së, për të siguruar që sa më shumë organizata të mundshme të punojnë për të ndërtuar integritetin e informacionit”, thotë Graham.