Një ngjarje tronditëse ka shokuar opinionin publik në Kosovë.
Bekim Vari, i cili ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët më 29 janar, u gjet i vdekur më 5 shkurt nga familjarët e tij në një zonë malore të fshatit Manastirc të Komunës së Ferizajit.
Media ka siguruar pamje ekskluzive nga momentet e fundit të Bekimit, të cilat janë regjistruar në një nga vilat e fshatit Manastirc, ku ai ishte bashkë me shokun e tij, Leutrim Fejza. Pikërisht ky i fundit është i dyshuari kryesor për vrasjen makabre.
Sipas informacioneve zyrtare, Leutrim Fejza, një 27-vjeçar nga fshati Pleshinë e Ulët i Ferizajt, ndodhet tashmë në paraburgim, pasi dyshohet se ka privuar nga jeta Bekimin në mënyrë mizore dhe për motive ende të panjohura.
Familja e Bekimit ngriti shqetësime pasi mori një mesazh nga numri i tij, ku thuhej se ai kishte marrë rrugën për në Gjermani.
Por dyshimet e tyre u thelluan kur nuk arritën të kontaktonin më me të. Pas disa ditësh kërkime, më 5 shkurt, trupi i pajetë i Bekimit u gjet nga familjarët i groposur në një zonë të pyllëzuar.
Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 23 janar 2025, në orët e pasdites, në malet e fshatit Manastirc, i pandehuri Leutrim Fejza e ka vrarë Bekim Varin në mënyrë mizore dhe më pas ka groposur trupin për të zhdukur gjurmët. Ai është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u përpjekur të fshihte krimin.
Bazuar në këto prova, ai po akuzohet për veprën penale: “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur tërësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila ka lënë të tronditur familjarët dhe gjithë komunitetin.