Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i ka uruar besimtarët myslimanë për fillimin e muajit Ramazan. Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) u ka bërë thirrje besimtarëve për vepra të mira dhe për ruajtje të unitetit e mospërçarjes.
Në fillim të adresimit të tij, Tërnava ka shprehur ngushëllime për vdekjen e fotoreporterit, Alban Bujari.
Kreu i BIK-ut tha se agjërimi duhet të bëhet me lutje, bamirësi dhe solidaritet.
Tërnava: Këshilloj vëllezërit dhe motrat që të garojnë në vepra të mira
“Me rastin e fillimit të këtij muaji të bekuar, këshilloj vëllezërit dhe motrat e mi kudo që janë që të kenë frikë nga Zoti i Madhëruar, të garojnë në vepra të mira, të urdhërojnë njëri-tjetrin për të bërë mirë, të jenë të durueshëm, të ruajnë unitetin e të mos përçahen, të bashkëpunojnë në mirësi, urtësi dhe devotshmëri, si dhe të ruhen nga të gjitha ato mëkate që Zoti i ka ndaluar. Kjo ngase Ramazani është një muaj madhështor, muaji në të cilin shumëfishohen veprat e mira dhe falen mëkatet për ata që agjërojnë dhe falin namazin me besim dhe devotshmëri, duke kërkuar kështu shpërblimin për punët e tyre”, deklaroi ai.
Tërnava shtoi se muaji Ramazan është mundësi e mirë që vjen një herë në vit dhe se agjërimi ka dobi e urtësi.
Tërnava: Agjërimi ka shumë dobi dhe urtësi
“Agjërimi ka shumë dobi dhe urtësi, duke bërë agjërimin në formën më të mirë, besimtari e fisnikëron moralin, durimin, bujarinë dhe përpjekjet në atë që e kënaq Zotin. Muaji Ramazan është një mundësi që vjen vetëm një herë në vit, andaj ta shfrytëzojmë këtë mundësi edhe të përfitojmë prej tij sikur të jetë Ramazani i fundit që do të përjetojmë”, u shpreh ai.
Myftiu Naim Tërnava theksoi se në prag të muajit të agjërimit kanë ndihmuar 15 mijë familje në nevojë.
Tërnava: Gjatë muajit Ramazan do të ndihmohen edhe 20 mijë familje të tjera
“Bashkësia Islame e Kosovës si zakonisht edhe këtë vit përmes shoqatës humanitare ‘Bereqeti’ tash e 10 ditë nëpër të gjitha komunat e Kosovës ka bërë shpërndarjen e shumë pakove ushqimore dhe pakove me mish. Kemi shpërndarë 15 tonë mish të kurbanave, të cilat i kemi pasur të ruajtura në frigo-dhomat tona dhe kemi ndihmuar 15 mijë familje në prag të muajit të Ramazanit, besoj që gjatë muajit do të ndihmohen edhe 20 mijë familje të tjera”, përfundoi ai.
Muaji Ramazan fillon nesër dhe përfundon më 29 mars.