Konfiskon armë, municion dhe uniforma të Mbrojtjes Civile në Leposaviq

Armë, municion, sasi eksplozivi dhe uniforma ushtarake janë prezantuar pasditen e së premtes nga drejtoria rajonale e policisë në veri. Të gjitha këto janë konfiskuar pas një operacioni policor në fshatin Rodel të Leposaviqit, të cilat tregojnë për uniforma ushtarake të ish-Jugosllavisë, një prej tyre me mbishkrime edhe të "Mbrojtjes Civile", e shpallur si organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës.
Në konferencë të jashtëzakonshme për media, u tha se operacioni po vazhdon dhe se një person është duke u intervistuar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se organizatat e shpallur terroriste nga institucionet vendore po vazhdojnë të veprojnë në Kosovë.
Sveçla: Strukturat e mbrojtjes civile vazhdojnë të jenë aktive në Kosovë
"Janë zbuluar uniforma të ndryshme, pajisje ushtarake, armë dhe municion të ndryshëm por edhe dokumentacione të cilat dëshmojnë se realisht strukturat paralele të mbrojtjes civile vazhdon të jetë aktive në territorin e Kosovës. Ky zbulim ka ndodhur disa kilometra brenda kufirit Kosovë-Serbi, në fshatin Rodel. Ne në vazhdimësi po zhvillojmë aksione, të cilat kanë për qëllim që të sigurojnë qetësi, rend dhe ligj në çdo pjesë të territorit të Kosovës, të përkushtuar që Policia e Kosovës dhe gjitha institucionet tjera, me efikasitetin dhe profesionalizmin e saj t'i shërbejë rend dhe ligj", tha ai.
Para mediave, Sveçla shtoi se Serbia po vazhdon të strehojë terroristë serbë.
Sveçla: Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radojiqiq
"Në anën tjetër, Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radojiqiq i cili është kupolla e gjithë këtij organizimi, i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë t'i mbajë të gjallë qoftë në territorin e Serbisë, ashtu edhe brenda territorit të Kosovës. Ne ju bëjmë ftesë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre grupeve terroriste të dorëzohen, që të dorëzojnë pajisjet, armët dhe mjetet tjera luftarake në mënyrë që t'i kthehet jetës normale dhe që të bëhen pjesë integrale e shoqërisë", shtoi ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se gjatë punës operative në terren është marrë informacioni se në fshatin Rodel të Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar ka armë dhe municion.
Hoxha: Operacioni është akoma duke vazhduar
"Drejtoria rajonale e Policisë në veri gjatë punës së saj operative në terren, ka marrë një informacion se në fshatin Rodel të komunës se Leposaviqit, ne një shtëpi ta pabanuar mund të ketë armë dhe municione. Ne orën 12:00 njësitë policore, sipas Kodit të Procedurës Penale kanë intervenuar dhe kanë vërejtur një sasi të municionit dhe armatimit, me urdhrin e të cilit janë sekuestruar provat materiale nën dyshimin e veprës penale "mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve". Operacioni është akoma duke vazhduar. Aktualisht kemi shoqëruar në Stacioni Policor një person i cili është duke u intervistuar", tha Hoxha.
Drejtori i Policisë ka shpalosur listën e provave të sekuestruara nga njësitet policore në Rodel të Leposaviqit.
Hoxha: Mbetjet nga organizata terroriste tentojnë ta minojnë rendin kushtetues
"Një pushkë një tytëshe, kondakt pushke, 19 fishekë për pistoletë, një çantë me 45 fishekë për armë të gjatë, një palë dylbi për snajper, një çantë me katër karikatorë të zbrazët dhe një kuti me vaj. Pajisje për pastrimin e armës, dy gaz maska, pajisje ushtarake për ushqim, çantë për ndihmë të parë, qese për pajisje dhe ndihmë te parë, dy vula, literaturë të ndryshme, çantë me dokumente, substanca të fyshuara të eksplozivit, telefona, substancë e dyshuar e eksplozivit, dylbi, dy shigjeta, substance e dyshuar e eksplozivit, substance e dyshuar e eksplozivit, thike, jaknje me mbishkrime si dhe 31 deri ne 40 uniforma ushtarake të ndryshme. Në mesin e uniformatave të sekuestruara është edhe një uniformë e te ashtuquajturës "Mbrojtja Civile", organizatë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës, që tregon se kemi ende mbetje aktive të kësaj organizate që tentojnë të minojnë rendin kushtetues... ekziston mundësia që janë edhe dy armë mungesë, të cilat ne jemi duke punuar po shpresojmë që do i gjejmë edhe dy armët tjera të cilat janë pjesë e këtij materiali të sekuestruar", shtoi Hoxha në konferencë për media.
Lidhur me substancat e dyshuara për eksplozivë, Hoxha tha se janë marrë mostrat dhe janë duke u bërë analizat e saj.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shtoi se Policia e Kosovës është e aftë për t’u përballur me "mbetje" të terroristëve të Mbrojtjes Civile.
Sveçla: Është e qartë se kemi të bëjmë me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile
"Është e qartë se kemi të bëjmë me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile, të cilët me ligj janë shpallur si organizate terroriste. Kushdo që është pjesë e kësaj organizate është terroristë. Edhe duke qenë se ne për çdo ditë po zbulojmë qoftë armatim dhe uniforma por edhe po arrestojmë pjesëtarë të kësaj organizate, është e qartë se ka ende mbetje të kësaj organizate të brigadës së veriut në Kosovë...mund t’iu them lirisht se Policia e Kosovës është e aftë të përballet me këto mbetje dhe ketë po e dëshmon çdo ditë, nuk jemi të frikësuar, jemi realisht të kujdesshëm se cilido individ apo grupacion që vepron në Kosovë të përballet me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe gjyqësore dhe të marrë dënimin e merituar", u shpreh ai.
Ai foli edhe për protestat në Serbi dhe ndikimin që mund ta ketë kjo situatë ne Kosovë.
Sveçla: Vuçiq është një diktator
"Vuçiq me instrumentet e saj është një diktator i cili për interesat të tyre, mbajtjes së pushtetit vazhdon të shtyp popullin e Serbisë por edhe të rrezikojë sigurinë në rajon. Sa më shpejt që Serbia demokratizohet aq më mirë për të gjithë rajonin", shtoi ai.
Sveçla tha se nuk ka asnjë indikacion se ditëve të fundit, grupe të caktuara po përgatiten për sulm. Megjithatë, ai theksoi se aparati shtetëror është i gatshëm për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetin e vendit.