Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet më Prokurorinë Speciale, në cilësinë e dëshmitarit për çështjen e rezervave shtetërore.
Urdhri për tu paraqitur në prokurori si dëshmitar vjen në ditën kur Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gash, ka konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për dëshmi duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë-theksuar të gjykatës”, ka thënë Gashi.
Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asajqë ta urdhërojë kryeministrin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.