Gazmend Halilaj: “Po e pranoj unë drejtimin e UÇK-së, por jo krimet e klaneve”

Aktuale

Gazmend Halilaj: “Po e pranoj unë drejtimin e UÇK-së, por jo krimet e klaneve”

Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 18:53
Gazmend Halilaj

Avokati Gazmend Halilaj ka reaguar ashpër në një postim në rrjetet sociale, ku shprehet se askush nuk po merr përgjegjësinë për drejtimin e UÇK-së në kohën e luftës, ndërsa ai ironizon duke thënë se do ta marrë këtë përgjegjësi vetë, por duke mohuar akuzat e rënda që lidhen me keqpërdorimet dhe krimet pas luftës.

Në postimin e tij, Halilaj thekson se nuk ka të bëjë me çështje si përpilimi i listave të luftëtarëve në Shtabin e Rognerit, vrasjet e figurave të shquara, themelimi i qendrave të ndalimit, vjedhja e fondeve të luftës apo krijimi i organizatave kriminale. Sipas tij, këto nuk janë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por interesa të pastërta klanore.

Ai gjithashtu e cilëson të pavërtetë pretendimin se në Gjykatën Speciale në Hagë po gjykohet lufta e UÇK-së, duke argumentuar se kjo ushtri kishte një qëllim të qartë: çlirimin nga pushtuesi shekullor. Sipas Halilajt, përgjegjësia për aktet kriminale pas luftës nuk duhet të mbulohet nën hijen e UÇK-së dhe ai shpreh habinë e tij për faktin që avokatët e të akuzuarve duhet të paguhen nga Qeveria, kur ata po gjykohen për vepra që ai i cilëson si “puro kriminale”.

Ky qëndrim ka ngjallur debat në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje temën e përzierjes së luftës së UÇK-së me zhvillimet e mëvonshme politike dhe ekonomike në Kosovën e pasluftës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat