Ministri Murati dhe deputetët e VV-së kritikojnë arrestimin e Nikçit

Aktuale

Ministri Murati dhe deputetët e VV-së kritikojnë arrestimin e Nikçit

Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 23:19
Hekuran Nikçi

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar pas arrestimit të kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, për të cilin prokuroria po kërkon paraburgim.

“Prokuroria nuk ndërmerr asnjë veprim për nënshkruesit e dëmit mbi 100 milionë euro të kontratës kolektive. Prokuroria nuk ndërmerr asnjë veprim për ministrin e LDK-së që e vazhdon paligjshëm licencën për terminalin e devollëve. Por Prokuroria arreston dhe kërkon paraburgim për Hekuran Nikçin, Kryeinspektorin e Punës, për çështje administrative - shkarkimin e një personi. Le të ma gjen dikush një rast të vetëm në Kosovë, kur dikush është arrestuar për një çështje të tillë?!”, ka reaguar Murati në Facebook.

Ai tutje ka thënë se nën udhëheqjen e Hekuran Nikçit, Inspektorati i Punës ka avancuar në shumë drejtime, e kjo sipas tij i është konfirmuar edhe nga agjencitë partnere ndërkombëtare që bashkëpunojnë me Inspektoratin e Punës.

“Nesër qenka seanca ku shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për paraburgim për 30 ditë, e uroj e shpresoj që së paku Gjykata të marrë parasysh situatën e të korrigjojë këtë arbitraritet të Prokurorisë. Nëse Pal Lekaj mund të gjykohet në liri për rastin e 53 milionëve, si mund të arsyetohet mbajtja në paraburgim e një profesionisti si Hekuran Nikçi për çështje krejtësisht administrative?”, ka shkruar Murati.

Edhe deputetët e Vetëvendosjes kanë kritikuar qasjen e prokurorisë ndaj Nikçit.

“Kosova është dhe do të mbetet vend demokratik. Të arrestosh njeriun dhe të kërkosh paraburgim për çështje administrative si rasti me z.Nikçi, kjo po që është e rrezikshme. Mos të harrojmë që vullneti popullor, Republika, janë të pathyeshëm!”, ka shkruar Artan Abrashi në Facebook.

Ndërkaq, Armend Muja ka thënë se të drejtat e njeriut nuk do të mund të shkelen para syve tanë.

“Arrestimi dhe kërkesa për paraburgim për z.Nikçi për një çështje administrative është tërësisht e papranueshme dhe nuk duhet të kalojë”, ka thënë ai.

Edhe Arbër Rexha ka shkruar se Nikçi u arrestua dhe tash kërkohet paraburgim për një çështje krejt administrative.

“Ku janë nisur këta njerëz kështu? Jemi në Republikën demokratike të Kosovës, jo në vende tjera që nuk ka nevojë të përmenden”, ka shkruar Rexha.

Ndërkohë, Agon Dobruna zyrtar i Alternativës tha se Hekuran Nikçi u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikes në Kosovë, në mënyrë që me përvojën dhe shkollimin e tij amerikan të kontribuojë në Republikën e Kosovës.

“Një djalë i guximshëm, profesionist dhe i përkushtuar. Me punën e tij të madhe ka ngritur kapacitetet e Agjencise së Inspektoratit të Punës, duke përmirësuar përformancën e saj në të gjitha aspektet, e duke dhënë rezultate konkrete në mbrojtjen e të drejtave të punetorit në Kosovë. Me fakte mund të dëshmohet që në bashkëpunim me partnere ndërkombëtar ka arritur që ta transformoj për të mire Agjencine në çdo kuptim të fjalës”, ka shkruar Dobruna.

Ai tutje ka theksuar se vetëm një prokurori që nuk i shërben sundimit të ligjit do mund ta bënte një gjë të tillë.

“Uroj që Gjykata të lirojë atë nga ndalimi dhe të veprojë pa ndikime politike. Hekurani i duhet institucioneve të Kosovës, sikur që qartazi dëshmon puna dhe integriteti i tij pa asnjë dyshim”, ka shtuar ai.

Kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në po këtë institucion, Naim Shalaku janë ndaluar dje për 48 orë, me urdhër të Prokurorit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat