​Hajdari: Koha po e rrezikon adresimin e krimeve të luftës

Aktuale

​Hajdari: Koha po e rrezikon adresimin e krimeve të luftës

Më: 1 mars 2025 Në ora: 13:42
Drita Hajdari

Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari deklaron se çështja e kohës po kanos adresimin e krimeve të luftës. Njëzet e gjashtë vjet pas luftës, ajo shton se Prokuroria Speciale po përballet me vështirësi për hetimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë. Veç kësaj, ajo thekson edhe mungesën e bashkëpunimit juridik me Serbinë, çështje të cilën Hajdari thotë se e ka ngritur edhe në një konferencë në Beograd.

Në intervistën për KosovaPress, Hajdari shprehet e zhgënjyer me institucionet vendore, nga të cilët thotë se ka pritur që pas pensionimit t’i ofrohet mundësia për kontribut në këtë fushë.

Javën e kaluar, ish-prokurorja Drita Hajdari është dekoruar me medaljen e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Meritës nga Franca, në shenjë mirënjohje për drejtësinë dhe sundimin e ligjit.

Pas pensionimit, ajo flet për sfidat kryesore me të cilat përballet Prokuroria Speciale në hetimin e krimeve të luftës.

Hajdari: Problem i madh që i kanoset adresimit të krimeve të luftës është koha

“Një problem shumë i madh që i kanoset këtyre krimeve është pikërisht koha, sepse po na vdesin dëshmitarë ose janëtash në moshë dhe natyrisht mosha po e bën të vetën, koha po e bënë të vetën dhe po ballafaqohemi edhe me fenomenin e harresës kur dëshmojmë për krime të cilat procedohen. Problem të veçantë paraqet mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë në të cilën gjenden shumica e kriminelëve të luftës dhe këtë gjë e kam potencuar pikërisht në konferencën e Beogradit. Dhe kam thënë që fshehja e kryerësve të këtyre krimeve paraqet mohimin e krimit dhe mos pranimin e viktimave. Kam potencuar faktin që krimet e luftës janë krime të cilat rangohen si krime ndërkombëtare dhe me kryerjen e këtyre krimeve shkelet e drejta penale ndërkombëtare”, thotë ajo në intervistën për KosovaPress.

Pas marrjes së kompetencave nga institucionet vendore në hetimin e krimeve të luftës, Hajdari tregon se ngritja e aktakuzave bëhej vetëm kur është siguruar prezenca e të akuzuarit.

Hajdari: Në vitin 2018 rreth 900 lëndë janë dorëzuar

Përfundimisht të gjitha rastet janë dorëzuar në fund të vitit 2018, kur është dorëzuar një numër i madh i rasteve të pa përfunduara, diku rreth 900 lëndë si dhe diku 2000 dosje për persona të zhdukur. Në atë kohë ishim vetëm dy prokurorë dhe nuk kemi ditur çka më përpara, nuk kemi ditur çka ka në ato raste, mandej është dashur t’i sistematizojmë, të krijohen prioritete në procedimin e rasteve. Kemi vlerësuar që prioriteti duhet të jenë masakrat, sikurse edhe rastet në të cilat ekzistojnë prova për ngritjen e aktakuzës. Mirëpo, problemi për ngritjen e aktakuzave ka qenë rrethana që ne kemi qenë në pozicion edhe në situatë më i grumbullua provat, por pa e marrë në pyetje të pandehurin ligji nuk ka na lejuar ngritjen e aktakuzave. Krejt çfarë kemi mundur të bëjmë është se kemi mbledhur prova aq sa kemi mundur”, shprehet ajo.

Me hyrjen në fuqi të Kodit të Procedurës Penale në vitin 2022, prokurorisë i është mundësuar që të ngrit aktakuzën në mungesë. Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari thotë se një gjë e tillë ka qenë e domosdoshme.

Hajdari: Ngritja e aktakuzave në mungesë ka qenë e domosdoshme

Ngritja e aktakuzave në mungesë ka pasur shumë argumente pro dhe kundër në kuptimin që dikush ka potencuar faktin që po shkelen të drejtat e të pandehurit, meqë atij nuk po i jepet mundësia me u mbrojt, ndërsa është potencuar fakti që gjykimi në mungesë paraqet një statisfaksion të rëndësishëm për viktimat e krimeve të luftës. Ajo çfarë mund të them është se para se të ngrihet aktakuza në mungesë, prokurori është i obliguar që të shtjerrëmundësitë ligjore për me ardh deri te kryerësi i veprës, madje edhe të lëshohet letërshtimi ndërkombëtar...Aktakuza në mungesë ka qenë e domosdoshme, sepse koha punonte kundër nesh. Me kalimin e kohës ne jemi ballafaquar me vështirësi në grumbullimin e provove dhe kemi vlerësuar që gjykimi në mungesë paraqet dokumentimin e krimit dhe krimeve në përgjithësi”, deklaron Hajdari.

Në fund të vitit 2024, Hajdari ka qenë e ftuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd për të marrë pjesë në konferencën rajonale, në të cilin u diskutua për procedimin e krimeve luftës. Ajo thotë për KosovaPress se "ka qenë e vetëdijshme për rrezikun që i kanoset".

Hajdari: Në Beograd isha e vetëdijshme për rrezikun që me kanoset

“Kam vendosur të shkoj, i kam kontaktuar kolegët nga Prokuroria Speciale të cilët gjithashtu kanë pranuar ftesën për këtë konferencë dhe më kanë thënë që nuk janë të gatshëm dhe që konsiderojnë që ekziston një dozë rreziku dhe nuk janë të gatshëm të shkojnë në Beograd. Unë mendova që nëse unë nuk shkoj, po shqyrtohen krimet e luftës, procedimi i krimeve të luftës për një periudhë 20-vjeçare, nëse unë nuk shkoj Kosova do të mbetet pa përfaqësues, do të jetë e pa mbuluar. Duke marrë parasysh që në këto panele do të merrnin pjesë prokurori nga Kroacia, Bosnja e Serbia, disi më ka ardh inati që të mos jetë askush nga Kosova. Isha plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që i nënshtrohem sepse unë kam pasur shumë raste të ndjeshme ku janë akuzuar qytetarë serbë, të cilët janë nën hetim dhe që e dinë që unë jam ajo që po i procedon këto raste”, shton ajo.

Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari shprehet e zhgënjyer me institucionet vendore, ku thotë se pas pensionimit nuk i është dhënë mundësia që të ndihmojë sistemin e drejtësisë në adresimin e krimeve të luftës.

Hajdari: Kam pritur që në Kosovë dikush do të shfrytëzojë ekspertizën time shumë-vjeçare

Pasi që jam pensionuar unë kam pritur që dikush në Kosovë do të shfrytëzojë ekspertizën si prokurore shumë-vjeçare, sidomos në fushën e krimeve të luftës. Kam pritur që Akademia e Drejtësisë, organizatat jo-qeveritare të cilat merren me këtë fushë do të më ftojnë dhe do të shfrytëzojnë këtë ekspertizë. Unë i kam njoftuar të gjitha këto organizata që jam e gatshme me dhënë kontribut, mirëpo është ironia që kisha premtime, krejt ishin gojë ëmbël duke më premtuar se ‘po, si jo, ti na duhesh, ti mundesh shumë të kontribuosh’... Disa prej tyre kanë menduar që ‘Drita u pensionua, tash rrinë në shtëpi edhe ka me shëtit’. Por jo, unë akoma vlerësoj se mund të jap kontribut. Pensionimin e kam përjetuar si një fillim i një kapitulli të ri, në të cilën unë nga një rol tjetër mund të kontribuojë”, shprehet ajo.

Gjatë viteve 1998-1999 janë vrarë mbi 13 mijë civilë nga forcat serbe, janë zhdukur mbi 6 mijë, ndërkohë që 1600 prej tyre vazhdojnë të jenë të pagjetur dhe janë dhunuar seksualisht mbi 20 mijë gra e burra. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat